“10 vjet shtet”, mesazhi i Presidentit Meta: Krenar për përparimin e Kosovës
Me rastin e 10-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, Presidenti Ilir Meta i ka dërguar një mesazh urimi homologut të tij, Hashim Thaçi. Në mesazh, kreu i shtetit shqiptar shpreh mbështetjen e tij, por edhe të të gjitha institucioneve te shtetit shqiptar në hapat e guximshme të shtetit te Kosovës.
Presidenti Meta thotë se ndihet krenar për përparimin e jashtëzakonshëm të Kosovës në këto 10 vjet.
Mesazhi i urimit:
I nderuar Zoti President,
Me rastin e 10-vjetorit të Pavarësisë së Republikës së Kosovës, kam privilegjin dhe kënaqësinë e veçantë t’ju përcjell në emrin tim dhe të gjithë qytetarëve të Republikës së Shqipërisë, urimet më të ngrohta e vëllazërore.
Në këtë dekadë të parë si shtet i pavarur dhe sovran, ndajmë me ju krenarinë e përparimit të jashtëzakonshëm që Kosova ka bërë në të gjithë elementët shtetndërtues dhe të përfaqësimit të saj dinjitoz në botë.
Jam gjithashtu i entuziazmuar që marrëdhëniet tona vëllazërore dhe ndërshtetërore janë në nivelet më të larta të bashkëpunimit, dhe janë konsoliduar në shtratin e integrimeve europiane dhe euro-atlantike, përkrah partnerëve tanë strategjikë.
Kam bindjen e thellë se, vetëdija, pjekuria dhe përgjegjshmëria e lartë shtetërore që karakterizon institucionet dhe popullin e Kosovës do të mundësojnë një zhvillim edhe më të shpejtë e të shumëdëshiruar.
Ju siguroj se, unë si President i Republikës, por edhe të gjitha institucionet e Shqipërisë do të jemi gjithmonë mbështetës e përkrah në ndërmarrjet tuaja të guximshme që fuqizojnë institucionet, demokracinë dhe sundimin e ligjit në Kosovë, që konsolidojnë harmoninë e bashkëjetesës gjithëpërfshirëse dhe që thellojnë bashkëpunimin ndërkombëtar të Kosovës me miqtë dhe organizatat shumëpalëshe.
Së bashku me urimet më të mira e vëllazërore, për konsolidimin, zhvillimin dhe përparimin e mëtejshëm të Kosovës, ju lutem pranoni, Zoti President, shprehjen e konsideratës sime më të lartë.
Përzemërsisht,
Ilir Meta
___________________________________
Shkëlqesisë së Tij,
Zotit Hashim Thaçi
President i Republikës së Kosovës
PRISHTINË