11 ditë operacion në Veri të Kosovës. Armë, municione dhe 3 varreza masive të zbuluara

Një operacion 11-ditor i institucioneve të sigurisë në veri të Kosovës ka zbuluar një arsenal armësh e municionesh, si dhe tre lokacione me mbetje mortore të 23 personave. Detajet u bënë publike në një konferencë të jashtëzakonshme për media nga ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, dhe drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, kolonel Gazmend Hoxha. Sveçla tha se zbulimi i tre lokacioneve me mbetje mortore është rezultat i një hetimi intensiv institucional, duke e lidhur atë me hetimet për krimet e kryera gjatë luftës së fundit në Kosovë.

“Zbulimi i tre varrezave masive ka ardhur si rezultat i një hetimi intensiv të institucioneve tona të cilave u ka paraprirë shtrirja e sovranitetit të shtetit edhe në veriun e vendit tonë. Sundimi i rendit të ligjit, bashkëpunimi ndërinstitucional si dhe ai qytetar. Zbulimi i këtyre varrezave masive ka nxjerrë në pah edhe njëherë dimensionin e krimeve të kryera gjatë luftës së fundit Kosovë. Veriu i vendit tonë përveç se ishte skenë e krimeve të rënda ndaj civilëve shqiptarë keqtrajtimeve është shfrytëzuar edhe për fshehjen e trupave pas vrasjeve makabre”, tha ministri Sveçla.

Sipas të dhënave të prezantuara, mbetje mortore janë gjetur në tri lokacione të ndryshme. Në lokacionin e parë janë zbuluar 13 mbetje, në të dytin katër, ndërsa në lokacionin e tretë gjashtë mbetje mortore. “Gati tre dekada pas luftës, familjarët e personave të zhdukur me forcë presin që ta kuptojnë fatin e më të dashurve të tyre. Kosova me ngulm kërkon përgjegjësi për urdhërdhënësit, organizatorët, dorasit, ata që fshehën trupat e viktimave si dhe ata që fshehën informata mbi vendndodhjen e viktimave të këtyre masakrave. Siç tashmë është njoftuar opinioni publik, në tre lokacione janë gjetur mbetje mortore të 23 personave. Në lokacionin e parë janë gjetur 13 mbetje, në lokacionin e dytë katër mbetje dhe në lokacionin e tretë gjashtë mbetje mortore”.

Swiss Digital Desktop Reklama

Krahas hetimeve për mbetjet mortore, autoritetet kanë kryer kontrolle edhe në lokacione të tjera, ku është zbuluar një sasi e madhe armatimi dhe pajisjesh ushtarake. Armatimi është gjetur në 12 lokacione, ndërsa sipas autoriteteve, hetimet do të vazhdojnë për të përcaktuar origjinën e tij, përdorimin e mundshëm dhe lidhjet me rastet që po hetohen. “Nga sot ai do t’i nënshtrohet ekzaminimit dhe analizave të detajuara me qëllim të përcaktimit të origjinës, përdorimit dhe lidhjeve të mundshme me rastet e hetuara, përfshirë edhe ekzaminimin e së paku 23 personave, por edhe rasteve të tjera kriminale”, bëri të ditur Sveçla.

Swiss Digital Mobile Reklama

Gjatë kontrolleve në katër lokacione janë sekuestruar gjithsej 72 armë. Në mesin e tyre janë dy mitralozë, 11 pushkë AK-47, 22 armë të gjata të llojeve të ndryshme, 27 pushkë gjahu, nëntë pistoleta dhe një pushkë ajrore. “Janë gjetur 72 copë armë, prej tyre dy mitralozë, 11 armë të gjata AK47, 22 armë të gjata të llojeve të ndryshme, 27 pushkë të gjuetisë, nëntë armë të shkurtra pistoleta, një pushkë ajrore, janë gjetur mjete shpërthyese shtatë copë, shtatë granata dore, dy detonatorë elektrik të përdorur, pjesë plastike të paketimit të granatës, mjete piroteknike, pjesë metalike të mjeteve shpërthyese. Po ashtu janë gjetur edhe municione gjithsej 4831 copë municione të kalibrave të ndryshme. Po ashtu janë gjetur dhe pjesë të armëve të shumta, të tyta, kontakt, karikatorë, optikë për armë, kasetë armatimi dhe po ashtu krerë, fishekë apo magazina”.

Përveç armëve dhe municioneve, në lokacione janë gjetur edhe mjete shpërthyese, përfshirë shtatë granata dore dhe dy detonatorë elektrikë të përdorur. Autoritetet kanë sekuestruar gjithashtu pjesë të ndryshme armësh, karikatorë, optikë, mjete piroteknike dhe pajisje të tjera të lidhura me armatimin. Në mesin e materialeve të sekuestruara janë edhe pajisje të ndryshme ushtarake dhe materiale që, sipas autoriteteve, lidhen me strukturat ushtarake dhe policore të Serbisë.

“Janë gjetur gjithashtu edhe shumë pajisje të tjera ushtarake, thika ushtarake, gazmaska, 10 palë dylbi, radiolidhje, mbushë për radio, sëpata ushtarake, arka druri për municione dhe mjete të tjera luftarake të cilat janë konfiskuar. Po ashtu janë gjetur numër të madh i uniformash çanta ushtarake, këmisha ushtarake të ushtrisë së Serbisë, policisë së Serbisë dhe pajisje të tjera që ndërlidhen me qëllimin ushtarak”. Autoritetet kanë bërë të ditur se hetimet do të vazhdojnë për identifikimin e viktimave, përcaktimin e origjinës së armatimit dhe zbardhjen e përgjegjësive për krimet e dyshuara të luftës.

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A mendoni se në shtator kryeministri do bëjë ndryshime në Qeveri?