Akademik Rexhep Ismajli, një mendje e ndritur shqiptare në kohën tonë
Nga Luan Rama
Jeta e puna më kanë dhënë mundësi të takoj, të njoh, të punoj e të kem miq shumë ndër shqiptarët e Kosovës, para e pas luftës çlirimtare, para e pas shpalljes së Pavarësisë së Kosovës.
Por sot, dua të veçoj me një nderim të veçantë akademik Rexhep Ismajlin, për gjithë sa ai përfaqëson në kulturën tonë kombëtare!
Akademik e profesor, punëtor i palodhur i shkencës albanologjike, gjihëtar i çuditshëm; e nisi si strukturalist, por ndryshoi metodë dhe u bë gjenerativist, poststrukturalist, dhe, për paradoks, edhe aplikues i metodës së sociologjizmit gjuhësor.
Zgjodhi metodën që ishte më e përshtatshme për objektin: studiues i historisë së gjuhës, filolog ( i shkencës së teksteve), aplikues i suksesshëm në filologjinë kritike ( textual criticism ), botues i shkrimeve të vjetra ( Budi, Kuvendi i Arbënit), ballkanolog, jetëshkrues ( Selman Riza ), shqipërues ( Rolland Barthes ), organizator i Seminarit të Prishtinës, kryetar i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës.
E mbi të gjitha këto kontribute të vyera, një shqiptar i mirë e atdhetar prej asaj race që meriton të jetë referencë krenarie për gjithkënd prej nesh.
Unë ndjehem i nderuar që pata rastin ta takoj në fillim të dhjetorit të vitit 2017, mes pedagogëve e studentëve të gjuhës shqipe në katedrën e albanologjisë në Universitetin e Studimeve Ndërkombëtare në Pekin, teksa nuk mund ta fshihte krenarinë për studenten e tij Ke Jing ( Gjina ), e cila drejton shkollën doktorale të albanistikës.
Ndjehem i nderuar, sepse akademik Rexhep Ismajli, është një mendje e ndritur shqiptare në kohën e sotme.