Andi Bushati: Zjarri (anti – Rama) që Vjosa Osmani ndezi në Tiranë
Nga Andi Bushati –
Vizita e presidentes në detyrë të Kosovës, Vjosa Osmani mund të shënohet pa frikë si një nga më të tensionuarat që një kryetar shteti ka kryer në këtë vend ndoshta që nga koha e Nikita Hrushovit.
Askush më parë, po askush, nga Serbia apo nga Greqia qoftë, nuk ka ndërmarrë ndonjë udhëtim zyrtar, për të masakruar politikat e ndjekura nga një njeri i vetëm.
Asnjë shef shteti apo qeverie nuk ka zbarkuar në Tiranë me një paketë kundëershtuese ndaj të gjitha qëndrimeve të lidhura me Kosovën, që një shumicë parlamentare ka imponuar në politikën e jashtëme të këtij vendi.
Po të qëmtohen me vëmendje mesazhet duket sikur Vjosa Osmani ka nisur rrugën drejt Tiranës, jo për të forcuar marëdhëniet mes dy vendeve, por për të asgjesuar Edi Ramën.
Ajo lëvizi çdo gur për të theksuar se afërsia e kryeministrit tonë me Aleksandar Vuçiçin, po e pengon dënimin e genocidit serb të kryer në kohën e Millosheviçit. Deri këtu, kjo qasje, ndonëse e vë në vështirësi të madhe Ramën, duke kërcënuar planet e përbashkëta që ai ka thurur me presidentin serb, për të sunduar të dy rajonin, mund të duket e drejtë dhe racionale. Në situatën ku gjendet, me liderët aktualë të UÇK-së të burgosur në Hagë, Prishtina është në drejtën e saj të kërkojë nga Shqipëria ndihmë në ribalancimin e situatës dhe mbështetje ndërkombëtare.
Pra, ndonëse Edi Rama do paguante gjithçka për ta shmangur adresimin publik të kësaj kërkese, një president i Kosovës ishte i dënuar ta artikulonte publikisht atë.
Por, e keqja është se në axhendën e Vjosa Osmanit, nuk qe vetëm kërkesa për dënimin e genocidit serb.
Ajo u pasua, aty për aty, me një tjetër kritikë të ashpër ndaj një çështjeje të cilës Edi Rama i ka vënë gjoksin. Ajo u kujdes të theksojë se mini-shengeni ballkanik i shërben më shumë Serbisë sesa dy vendeve tona. Ajo e tha këtë pikërisht në Tiranë, në të njëjtin vend ku pak muaj më parë Vuçiç e fshikulloi mikun e tij Edi, se kompleksohej nga liderët e Prishtinës për të mbrojtur këtë projekt të së ardhmes.
Pyetja që shtrohet është a mund ta evitonte Vjosa Osmani këtë thikë të dytë në shpinë ndaj Ramës? A mund ti kërkonte ajo llogari mbrojtësit të kësaj ideje në Shqipëri, kur qeveria e Prishtinës dhe shumica e partive politike që e mbështesin atë, kanë nënshkruar pro saj në zyrën ovale, në prani të Donald Trump?
Provë se presidentja në detyrë e Kosovës nuk tregoi asnjë dashamirësi për ta kursyer kryeministrin tonë ishte edhe fakti se ajo nuk harroi të dënojë aventurën e e zgjidhjes së konfliktit shqiptaro serb, përmes shkëmbimit të territoreve. Atë që Rama dikur e quajti si një mundësi që të jepet njëherë në jetë, për hir të së cilës ia vlente të kundërshtohej edhe Anxhela Merkel Osmani e etiketoi si “të tmerrshme”, pa harruar të shtojë se ajo shpërblente Serbinë që ka kryer genocidin që këtej nga anët tona po rrefuzojnë ta njohin.
Pyetja tjetër që shtrohet është: a e shmangte dot Vjosa Osmani rihapjen e kësaj teme që tashmë të gjithë e pranojnë se është tejkaluar dhe nuk përbën më rrezik? A shërbente për gjë tjetëër shtimi edhe i kësaj çështjeje në paketë, veçse për të goditur Edi Ramën?
Natyrisht renditja e këtyre fakteve nuk të lejon të kesh asnjë mëdyshje për qëllimin e vërtetë të vizitës së saj. Duke nxjerrë para publikut duart e lidhura të Tiranës zyrtare për të dënuar genocidion serb, duke denoncuar rolin e saj për mini -shengenin dhe përfshirjen në aventurën e ndryshimit të kufijve, Vjosa Osmani e vizatoi cullak Edi Ramën.
Për ato që tha dhe qëndrimet që mbrojti, askush nuk mund ta akuzojë atë për hipokrizi dhe gënjeshtër. Ajo çka na përplasi në fyryrë është e vërteta që se luan as topi.
Por ka një problem. Gjithçka do të ishte OK, sikur ato ti thoshte qoftë një intelektual i pavarur, apo qoftë edhe një politikan kryetar partie. Ndërsa, kur ato artikulohen nga goja e kryetarit të shtetit të Kosovës, pesha është tejet më e rëndë. Sepse askush më parë, asnjëherë, nuk ka zbarkuar në Tiranë duke përdorur të tilla tone dhe me një axhendë kaq të qartë për goditjen e një njeriu të vetëm.
Këtë e bëri Vjosa Osmani duke përmbysur raportet e brishta mes lirisë për të thënë të vërtetën dhe vetëpërmbajtjes që obligon arsyeja shtetërore. Pasi pavarësisht se ndoshta Edi Rama e meriton përmendjen e të gjitha atyre që u thanë, konkluzioni që do të mbahet shënim nga kjo vizitë është shumë i rëndë. Ai dëshmon se qeveria e Tiranës është vënë në shërbim të Serbisë kundër interesave të Kosovës. Dhe kjo është tepër për të qenë në axhendën e takimit të çdo kryetari shteti. Aq më tepër kur miku vjen nga Prishtina.
Lapsi.al