
Në Radac të Pejës, të martën iu dha lamtumira e fundit Arlinda Zekajt, 49-vjeçares që u vra nga kunati i saj. Mes dhimbjes së familjarëve dhe të afërmve, në ceremoni u dëgjuan edhe thirrje për drejtësi për një grua që, pavarësisht kërkesave për ndihmë, nuk arriti të mbrohej nga institucionet e vendit.
Rasti i rëndë po hetohet edhe në drejtim të përgjegjësisë së mundshme të autoriteteve për trajtimin e ankesave të saj. Në të njëjtën ditë, në Gjykatën Themelore në Pejë u mbajt seanca për caktimin e masës së sigurisë ndaj ish-bashkëshortit të viktimës, Jeton Sylaj. Ai u paraqit para gjykatës nën përcjelljen e një numri të shtuar të zyrtarëve policorë. Prokuroria Themelore në Pejë kishte kërkuar një muaj paraburgim ndaj Sylajt, nën dyshimin për mospërfillje të vendimit të gjykatës. Sipas pretendimeve të prokurorisë, ai dyshohet se kishte ushtruar sërish dhunë psikologjike ndaj ish-bashkëshortes, tashmë të ndjerë, duke e kërcënuar me fjalë.
Gjykata ia caktoi masën e paraburgimit prej një muaji, për shkak të dyshimeve për shkeljen e vendimit të 16 tetorit, me të cilin i ishte ndaluar t’i afrohej viktimës në një distancë më të vogël se dy metra. Albert Sylaj, i dyshuari për vrasjen e Arlinda Zekajt, vazhdon të jetë në arrati. Policia e Kosovës bëri të ditur të martën se gjatë bastisjes në shtëpinë e tij kishte gjetur armë, thika dhe një sëpatë. Rrethanat e vrasjes e bëjnë edhe më të rëndë tragjedinë. Arlinda Zekaj u vra vetëm dhjetë minuta pasi policia e kishte shoqëruar për në shtëpinë e saj, pas raportimit të dhunës në familje nga ish-bashkëshorti.
Vetëm tri ditë para vrasjes, 49-vjeçarja kishte kërkuar ndërhyrjen e shtetit dhe kishte ngritur shqetësime për neglizhencë nga zyrtarët që po trajtonin rastin e saj. Ajo u ishte drejtuar me letra kryeprokurores së Pejës, kryetarit të Gjykatës Themelore në Pejë dhe kryeprokurorit të shtetit, duke kërkuar mbrojtje. Këto kërkesa, të cilat vetë Arlinda Zekaj i kishte cilësuar si “shpresa e saj e fundit”, sot rikthejnë në vëmendje pyetjet për reagimin institucional dhe përgjegjësinë për dështimin e mundshëm në mbrojtjen e saj.
