Ilir Meta: Arrestimi i Haradinajt i papranueshëm, të lirohet. BE të reagojë
Në njoftimin e shpërndarë nga Kuvendi thuhet se Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë Ilir Meta u befasua nga lajmi per ndalimin e kryetarit të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj nga policia franceze në bazë të një urdhër të vjetër arresti të lëshuar nga Serbia.
Kryetari Meta beson se autoritetet policore franceze do të qartësojnë rrethanat e pakuptimta të këtij ndalimi dhe do të veprojnë shpejt për t’i kthyer të drejtën e lëvizjes së lirë dhe të ligjshme kryetarit të AAK-së.
Kryetari Meta thekson se ky veprim është i pakuptimtë, i papranueshëm dhe nuk ndihmon frymën e dialogut dhe bashkëpunimit të deritanishëm mes Prishtinës dhe Beogradit.
Kreu i Kuvendit u bën thirrje autoriteteve franceze dhe atyre të Bashkimit Evropian për të zgjidhur këtë incident, për të qartësuar qëndrimin e tyre lidhur më këtë rast e për të parandaluar përsëritjen e rasteve të tilla në të ardhmen.
Policia franceze ka arrestuar të mërkurën në mbrëmjeje kryetarin e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj. Ai është arrestuar në bazë të një urdhër arresti ndërkombëtar të lëshuar nga Serbia. Haradinaj është i ndaluar në një burg në Francë, ndërkohë që autoritetet franceze kanë njoftuar ato kosovare për arrestimin e tij.
Fillimisht lajmi për arrestimin e liderit të AAK-së, është konfirmuar për mediat kosovare nga familja Haradinaj e më pas edhe nga Ministria e Jashtme e Kosovës. Mësohet se Haradinaj u arrestua në Aeroportin ndërkombëtar Basel-Mulhouse, në pjesën franceze të tij. Nëpërmjet një deklarate për shtyp, AAK ka dënuar arrestimin e Kryetarit të saj duke e quajtur atë një veprim krejtësisht të padrejtë dhe të papranueshëm.
“U bëjmë thirrje autoriteteve franceze qe t’i mundësojnë zotit Haradinaj që të vazhdojë udhëtimin e tij i papenguar dhe kërkojmë nga autoritetet e Bashkimit Evropian dhe të shteteve evropiane veç e veç që të mos pengojnë lëvizjen e lirë të autoriteteve të Kosovës, sipas urdhër arresteve të paligjshme të Serbisë”, thuhet në deklaratë.
AAK më tej i ka kërkuar qeverisë së Kosovës që të ndërpresë çdo komunikim me Serbinë deri sa ajo të tërheqë fletarrestet ndërkombëtare kundër përsonaliteve të Kosovës. Ne 2015-ën, lideri i AAK-së Ramush Haradinaj ishte arrestuar edhe në Slloveni, arrestim ky i bazuar po në fletë arrestin e Interpolit, lëshuar nga policia e Serbisë në vitin 2006. Haradinaj, asokohe po udhëtonte tranzit drejt Kosovës, nga Gjermania dhe u ndalua në aeroportin e Lubjanës.