Basha takon Enver Hoxhajn: Të mbështesim njëzëri luftën e UÇK
Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka pritur sot në një takim delegacionin e PDK, të udhëhequr nga Enver Hoxhaj.
Në fund të takimit, Basha tha për media se në fokus të diskutimit mes dy politikanëve ka qenë akt-akuza e ngritur nga Gjykata Speciale për disa nga krerët e politikës së Kosovës. Basha tha se e është koha që e gjithë politika e Shqipërisë dhe e Kosovës duhet të ketë një bashkërendim të plotë për këtë çështje.
“Kemi folur për një sfidë konkrete, që është ai i përballjes me Gjykatën Speciale. Ky proces nuk duhet lejuar të kthehet në cënim të Luftës së UCK. Për këtë kërkohet bashkërendim i plotë dhe i gjithanshëm mes Shqipërisë dhe Kosovës. Të gjitha forcat politike në të dy vendet duhet të japin kontributin e tyre dhe të jenë njëzëri në mbështetje të saj. Kjo është një sfidë për avancimin e Kosovës në rrugën e integrimit”, tha Basha.
Nga ana e tij, kreu i PDK, Enver Hoxhaj, i zgjedhur nga partia e tij edhe si kandidat në zgjedhjet presidenciale të Kosovës, u shpreh se lufta e UÇK-së është themel i lirisë dhe pavarësisë së Kosovës, ndaj dhe e gjithë politika kosovare e shqiptare duhet të bashkohet në mbrojtje të saj.
“Është kënaqësi e veçantë që takoj sot kryetarin e PD, z. Basha. E falënderoj z. Basha për mbështetjen që i ka dhënë Kosovës. Kemi pasur bashkëpunim shumë të mirë me të, edhe si ish-ministra të Jashtëm, edhe kur isha ministër i Arsimit. E kemi pasur bashkëpunimin e parë në mars të 2008, kur bëmë përpjekje që të marrim sa më shumë njohje për Kosovën. Asnjëherë s’e kisha menduar që në 2020 Kosova e pavarur do të kishte një vit të vështirë, që përveç pandemisë, morëm dhe goditje nga Gjykata Speciale. Ne mendojmë se të gjithë faktorët politikë në Shqipëri duhet të japin mbështetje maksimale. Lufta e drejtë e UCK është themel i lirisë dhe pavarësisë sonë. Mund të ketë situata që kjo gjykatë të përdoret në të ardhmen në raport me të ardhmen e Kosovës”, deklaroi Hoxhaj.