Çelet fushata për zgjedhjet e 7 qershorit, Abdixhiku: LDK është e bashkuar fort, nuk ka gjë që na thyen
Lidhja Demokratike e Kosovës ka çelur fushatën zgjedhore për zgjedhjet e jashtëzakonshme të 7 qershorit. Në fjalën e tij kandidati i kësaj force politike për kryeministër, Lumir Abdixhiku, u shpreh se Lidhja Demokratike e Kosovës është ngritur në këmbë dhe nuk ka gjë që i rrëzon.
“Kohërat ndërrojnë, aktorët vijnë e shkojnë, një gjë nuk ndryshon asnjëherë, LDK njëherë, LDK gjithherë. Sonte nga kjo sallë e mbushur plot, me gjithë këtë mbështetje, le t’i tregojmë gjithë Kosovës se lidhja jonë është ngritur në këmbë, është bashkuar fort, është gati për secilës sfidë që na vjen përpara. S’ka gjë që na rrëzon, s’ka gjë që na trazon, s’ka gjë që na thyen sot, jemi bërë bashkë”, tha ai.
Duke shpalosur programin qeverisës, Abdixhiku premtoi dyfishim të pensioneve. Sipas tij, nuk do të jetë asnjë pension më pak se 300 euro. Ai ka folur gjithashtu edhe për përkrahjen që do t’ia bëjnë nënave dhe fëmijëve. “Dyfishim të pensioneve; pa asnjë pension nën 300 euro. Sepse një Republikë serioze nuk e lë askënd pas. Me 200 euro në muaj për secilin të porsalindur, për plot një vit. Me shtesa mujore për secilin fëmijë deri në moshën 16 vjeçare. Me mbështetje të drejtpërdrejtë për gratë kujdestare”, tha Abdixhiku.
KOHA JONË SONDAZH

