Çështja kombëtare në udhëkryq. Me SHBA-në duhet shtuar, zgjeruar e thelluar komunikimi

Nga Kreshnik Çollaku*

Nuk me çudit fakti se shtete apo zyrtarë të BE-së mbështesin ndarjen e Kosovës. Serbofilia e shumë qarqeve në Evropë është fakt që e njohim dhe e provuam në kurriz që në fillim të shekullit.

Pak më çudit fakti që pjesë të rëndësishme të politikës amerikane i japin familjaritet kësaj ideje.

——-

Kam bindjen e thellë që kjo qasje është shkaktuar nga një komunikim i munguar, apo i difektuar i faktorit shqiptar në SHBA, të paktën pas shpalljes së Pavarësisë së Kosovës. Menjëherë pas shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, shqiptarët filluan festën e serbët iu futën punës.

Aktivizimi i lobit serb në SHBA ka qenë shumë agresiv këto vite dhe mesa duket kjo ka dhënë rezultat.

Shqiptarët bënë të kundërtën.

Flamujt,vallet e dollitë nëpër festa për Kosovën, nuk është lobim e aktivizëm në Ëashington.

Sidoqoftë, mendoj se sërish kjo varet në dorë të shqiptarëve. Shqiptarët kanë miq të fortë në SHBA. Me miqtë duhet komunikuar, me durim duhet shpjeguar se copëtimi i Kosovës nuk është çështje që vendoset në nxitim. Shqiptarët duhet të komunikojnë me durim në SHBA se prekja e kufijve të Kosovës rrëzon planin “Ahtisaari”, plan i cili ruante kufijtë aktualë të Kosovës dhe ndalonte bashkimin e saj me Shqipërinë amë, dhe që në thelb ishte një kompromis e sakrificë e madhe, dhe u pranua vetëm pse e kërkuan ata miqtë strategjikë të shqiptarëve.

Nëse lëvizja e kufijve të Kosovës hap rrugën dhe procesit te bashkimit Shqipëri-Kosovë…, kjo duhet diskutuar hapur me partnerët strategjike.

Ashtu si përcaktimi në mbështetjen e planit “Ahtisaari” pati konsensus mbarëkombëtar, dhe e dyta prishja e tij, nuk mund të bëhet pa të njëjtin konsensus.

Fatalja do të ishte një copëtim i ri i Kosovës dhe vijimi i ndalimit të bashkimit me Shqipërinë (siç investohet diplomacia serbe edhe gjatë këtyre orëve).

———

Me SHBA-në duhet komunikuar se pas komunikimit është e pamundur të mos ketë zgjidhje.

Me SHBA-në duhet komunikim, i hapur e me durim. Shqiptarët në ShBA kanë miqtë më të sigurtë. Kusht është që shqiptarët të shkojnë të bashkuar e të qartë në atë çfarë kërkojnë.

Ndërsa çfarë nuk kuptoj, ndërkohë kur rrezikohet copëtimi i kufijve kombëtar dhe humbja e territorit, mes shqiptarëve fillon gara kush është me Grenell-in e kush me Borelin?! Kush arrin të shkëpusë deklarata të njërit apo tjetrit në favor të partive, apo individëve të njërit kundra tjetrit.

Kjo më duket ndër ato naivitete tipike shqiptare që mjerisht i kap kur më shumë se kurrë duhet kthjelltësi dhe orientim strategjik në shërbim të interesit kombëtar.

* Kreshnik Çollaku, ish-zëvendës Ambasador i Shqipërisë në SHBA

SHKARKO APP