Çitaku: Albulena figurë përçarëse, për zgjedhjet duhet marrëveshje

Sekretarja e përgjithshme e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku akuzoi Lëvizjen Vetëvendosje se e ka kthyer Kuvendin në një cirk me seancat për konstituimin e këtij institucioni që po mbahen çdo 48 orë. ”Më thënë të drejtën jo vetëm e turpshme por edhe e dhimbshme të shohim se ku ka degraduar Kuvendi i Republikës së Kosovës dhe e dhimbshme të jesh dëshmitar çdo 48 orë i një përpjekje të një grupacioni politik për ta kthyer Kuvendin e Republikës së Kosovës në cirk”, tha Çitaku.

Ish-ambasadorja e Kosovës në Shtetet e Bashkuara tha se votimi nuk bëhet me diktat dhe se nuk ka ndodhur asnjëherë në historinë e Republikës së Kosovës që një parti dhunshëm të mundohet të imponojë një kandidat. ”Askush nuk po ia konteston të drejtën Lëvizjes Vetëvendosje që të propozojë kandidatin për kryekuvendar mirëpo është obligim i gruapcionit të parë politik që të ndërtojë konsesusin e domosdoshëm për të kaluar kandidaturën e tyre”.

Çitaku tha se se problemi nuk është te mungesa e numrave por te mungesa e vullnetit politik nga ana e kryeministrit në detyrë Albin Kurti, duke mohuar se partitë që deri dje ishin në opozitë po i mbajnë lojën Vetëvendosjes duke shtyrë konstituimin e Kuvendit. Çitaku gjithashtu mohoi se kundërshtimet ndaj kandidaturës së Albulena Haxhiut janë për shkak se është grua duke thënë se si PDK kanë mbështetur shumë femra në poste të rëndësishme shtetërore.

”Zonja Haxhiu ka një trashëgimi politike shumë polarizuese dhe shumë përçarëse, e tërë karriera e saj politike, i tëri profili i saj politik është i ndërtuar me akuza të vrazhda karshi secilit që nuk mendon si lideri suprem i Lëvizjes Vetëvendosje dhe në këtë rast për ne është e papranueshme. Në rast se kanë ndonjë kandidat tjetër ne jemi parti politike serioze do të ulemi dhe do ta shqyrtojmë”, tha ajo duke refuzuar të përmend emra që do të ishin të përshtatshëm për PDK.

SHKARKO APP