Daçiç: 99% Thaçi arrestohet

Pas arrestimeve të javës së kaluar nga Gjykata Speciale e Kosovës të tre ish-eprorë dhe veteranë të UÇK-së, Beogradi pret që radha do i vijë edhe kreut politik të saj, Hashim Thaçit.

Prokurorët e specializuar më 24 prill dorëzuan aktakuzat për Thaçin, për kryetarin e PDK-së Kadri Veseli dhe për dhjetëra luftëtarë të tjerë të luftës çlirimtare me Serbinë.

Ata akuzohen për krime kundër njerëzimit dhe krime lufte, për  vrasjen, zhdukjen, persekutimin dhe torturimin e afro 100 ushtarakëve e civilëve serbë e shqiptarë.

Kryediplomati i Serbisë, Ivica Daçiç, thotë se presidenti kosovar me shumë gjasë do arrestohet.

 “Nuk e di nëse Thaçi do të dënohet apo jo. Por probabiliteti për t’u arrestuar është 99 për qind. Për këtë nuk duhet të gëzohemi por të kërkojmë prova. Duhet të mësojmë nga hebrenjtë, të njohim çdo sakrificë, histori, e dhimbjen tonë kombëtare ta kalojmë nga brezi në brez. Ne si serbë duhet të falim, por ka disa raste që nuk mund t’i falim dhe nuk duhet të kërkojmë falje vazhdimisht.”

Konflikti dyvjeçar me Serbinë në vitet 98-99 u mori jetën rreth 15 mijë vetave, ndërsa fati dhe vendndodhja e mbi 1,600 personave të tjerë nuk dihet ende pas dy dekadave.

Ndërsa fushata e gjenocidit u ndërmor nga pala serbe, Dhomat e Specializuara me seli në Hagë mendojnë se dëme me pasoja jetën shkaktuan edhe luftëtarët shqiptarë.

Salih Mustafa, një nga ish-komandantët e UÇK-së, u paraqit i pari të hënën në bankën e të akuzuarit para gjykatësve të tribunalit ndërkombëtar.

48-vjeçari përballet me katër akuzat e ndalimit arbitrar, trajtimit mizor, torturës dhe vrasjes së paligjshme.

Mustafa tha se do konsultohet me avokatin e tij para se të vetëdeklarohet i fajshëm apo i pafajshëm.

Të martën gjykatësve në Hagë u drejtohet edhe nënkryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Nasim Haradinaj, i cili bashkë me ish-kryetarin e tij, Hysni Gucatin, akuzohen për frikësim të dëshmitarëve, shkelje të fshehtësisë procedurore dhe pengim të drejtësisë.

SHKARKO APP