DASH thirrje amerikanëve: Kujdes udhëtimet në Kosovë!
Departamenti i Shtetit këshilloi amerikanët të rishikojnë udhëtimet në Kosovë për shkak të koronavirusit dhe të tregojnë kujdes nga rreziku i terrorizmit në disa zona, ku ai është rritur.
Në një kujtesë për udhëtimet, Departamenti i Shtetit thotë se Qendra për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC) në SHBA ka lëshuar një njoftim ku Kosova vazhdon të përfshihet në nivelin 3 për shkak të COVID-19s.
Në kujtesë thuhet se Kosova ka hequr urdhrat e qëndrimit në shtëpi dhe ka rifilluar disa lloje transporti dhe operacione biznesi.
Në kujtesë, Departamenti i Shtetit këshillon që shtetasit amerikanë të vizitojnë faqen në internet të Ambasadës së SHBA për informacione mbi COVID-19n në Kosovë.
Ai këshillon gjithashtu që ata të rishikojnë udhëtimet për në Mitrovicën e Veriut, Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveçan për shkak të mundësisë për trazira civile si pasojë e tensioneve etnike.
Grupet terroriste, thuhet në kujtesë, vazhdojnë të planifikojnë sulme të mundshme në rajonin e Ballkanit, përfshirë Kosovën.
“Terroristët mund të sulmojnë me pak ose pa paralajmërim, duke vënë në shënjestër vendet turistike, qendrat e transportit, tregjet apo qendrat tregtare, objektet e qeverisjes vendore, hotelet, klubet, restorantet, objektet fetare, parqet, ngjarjet kryesore sportive dhe kulturore, institucionet arsimore, aeroportet dhe zona të tjera publike,” thotë Departamenti amerikan i Shtetit.
“Tensionet brenda dhe midis komuniteteve në veri të Kosovës mbeten një burim trazirash të mundshme në Mitrovicën e Veriut, Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveçan. Megjithëse trazirat e fundit kanë qenë të motivuara politikisht dhe nuk përfshijnë turistë ose anëtarë të bashkësisë ndërkombëtare, kalimtarët mund të preken,” thuhet në kujtesë.
Qeveria amerikane, thuhet aty, ka aftësi të kufizuara për të siguruar shërbime emergjente në veri të Kosovës për punonjësit e qeverisë amerikane, kur ata udhëtojnë në atë rajon.