Dështon edhe përpjekja e 53-të për konstituimin e Kuvendit të Kosovës

Kuvendi i Kosovës nuk ka arritur të konstituohet brenda afatit 30-ditor të përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese, duke dështuar edhe në përpjekjen e 53-të për të zgjedhur kryetarin dhe nënkryetarët e tij. Seanca konstituive, e nisur më 15 prill, mbetet e papërfunduar, pasi mungesa e marrëveshjes politike e ka bërë të pamundur mbylljen e saj.

Përpjekja e fundit u zhvillua të premten, më 26 korrik, por nuk solli rezultate. Kryesuesi i seancës, Avni Dehari, u përball me kritika për qasjen e tij, të cilën partitë opozitare PDK, LDK dhe AAK e cilësuan si zbatim të skenarëve partiakë. Ata e akuzuan atë për refuzim të zbatimit të Aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese që përcakton procedurën për votimin e fshehtë të kryetarit të Kuvendit. Dehari gjithashtu ua ndërpreu fjalën disa deputetëve opozitarë që kërkonin kthimin në rendin e ditës.

Në votimin e radhës për formimin e një komisioni për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit, propozimi i Lëvizjes Vetëvendosje mori vetëm 56 vota, duke dështuar kështu për të kaluar. Pas kësaj, Dehari njoftoi për një takim të mbrëmjes në ora 22:00, në përpjekje për të gjetur një zgjidhje.

Swiss Digital Desktop Reklama

Ndërkohë, Gjykata Kushtetuese ka vendosur të ndalojë çdo aktivitet të Kuvendit lidhur me seancën konstituive nga data 27 korrik deri më 8 gusht 2025. Kjo masë e përkohshme është vendosur ex officio në kuadër të rasteve KO193/25 dhe KO196/25, të iniciuara nga deputetët Memli Krasniqi, Hykmete Bajrami dhe të tjerë.

Swiss Digital Mobile Reklama

Sipas vendimit të datës 24 korrik, gjykata ka ndaluar çdo vendim apo veprim të deputetëve të Kuvendit lidhur me seancën konstituive përtej afatit 30-ditor të përcaktuar në Aktgjykimin KO124/25. Ky vendim hyn në fuqi më 27 korrik dhe qëndron në fuqi deri më 8 gusht 2025, duke i detyruar palët të respektojnë pezullimin e çdo veprimi parlamentar për këtë periudhë.

Vendimi është bërë publik dhe do të botohet në Gazetën Zyrtare, siç kërkohet nga neni 20.4 i Ligjit për Gjykatën Kushtetuese.

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

Pas vendimit të gjykatës kushtetuese a duhet liruar Erion Veliaj dhe të gjykohet në gjëndje të lirë?