Dojçe Welle/Vizita e Vuçiç vulosi: Nuk ka rishikim kufijve dhe nuk njeh Kosovën
Radio shtetrore gjermane DW shkruan sonte në darkë rreth vizitës së Presidentit Vuçiç në Kosovë dhe pasojat e këtij udhëtimi që sollën në pikën zero gjithçka.
Ja se ç’shkruan DW:
Ishte vërtet kaq afër zgjidhja? Përse u fol kaq shumë për një ujdi të afërt Kosovë-Serbi, për shkëmbim territoresh? Kur dy politikanë e duan një zgjidhje së bashku duhet t’i rezistojnë furtunave, mendon Adelheid Feilcke.
Për disa javë me radhë nuk ka pasur temë tjetër në Ballkan: Serbia dhe Kosova janë pak para një ujdie! Hashim Thaçi dhe Aleksandar Vuçiq po punojnë së bashku për një zgjidhje! As shkëmbimi i territoreve nuk përjashtohet! Pika kulmore e këtij inskenimi të diskutuar në rajon e të orkestruar ndërkombëtarisht do të ishte fjalimi i presidentit Vuçiq para serbëve në Veriun e Kosovës. Whumë spekuluan, se ky udhëtim do të ishte udhërrëfyesi i ri: Pajtimi, normalizimi i marrëdhënieve dhe një bashkëjetesë paqësore, pranimi i Kosovës në OKB. Por asgjë nga këto!
Fundjavë zhgënjyese!
Pas javësh shpresash politike erdhi një fundjavë plot tensione politike me një fund zhgënjyes. Dialogu mes presidentit të Kosovës, Thaçi dhe atij serb, Vuçiq dështoi në Bruksel, sepse presidenti serb ndjehej i mashtruar nga kosovarët. Dhe fjalimi udhërrëfyes në Mitrovicën e Veriut ishte vetëm një përsëritje e pozicioneve të vjetra. Në vend të një rruge të re, kështu duket, Vuçiç zgjodhi rrugën e vjetër duke e çimentuar madje atë me fjalë të forta: Asnjë njohje të Kosovës, asnjë ndryshim kufijsh.
Çfarë ka ndodhur, që të gjitha pritshmëritë për një “deal” me gjasë mes dy presidentëve u shpërbënë kaq papritur? Ka ndodhur vërtet diçka, apo e gjitha kjo ishte një akt i ri në teatrin e njohur politik të Ballkanit? Sipas presidentit serb, duhet të ketë ndodhur diçka me peshë, sepse i ngarkuari i tij për Kosovën përdori të premten akuza të rënda: Kosovarët e kanë gënjyer dhe mashtruar Vuçiqin. Përse? Për këtë spekulohet shumë.
Ende shumë pika të ndjeshme mes Kosovës dhe Serbisë
Fakt është që presidenti i Kosovës ndryshe nga ai serb ndodhet nën presion të madh të brendshëm politik duke pasur reagime të forta si nga qeveria ashtu edhe opozita. Po ashtu dihet, se ka shumë pika të ndjeshme mes Kosovës dhe Serbisë që duhen sqaruar derisa të arrihet një zgjidhje. Kosova kërkon para së gjithash njohjen, ose jo bllokimin nga Serbia për pranimin në Kombet e Bashkuara. Serbia nga ana e saj para së gjithash kërkon ta zgjidhë problemin e Kosovës duke ruajtur fytyrën, me qëllim që të ecë përpara me anëtarësimin në BE. Deri këtu në rregull, por në mes të këtyre qëndrojnë shumë çështje të hapura: sidomos sqarimi i të drejtave të minoriteteve, mbrojtja e kishave dhe monumenteve të kulturës, përdorimi i burimeve, sidomos në veri të Kosovës, e shumë të tjera.
Por megjithatë, çfarë është i gjithë ky teatër? Si është e mundur, që dy presidentë njëherë tentojnë të gjejnë drejtpërdrejt një zgjidhje, dhe pas kësaj nuk rezistojnë me furtunën e parë që u del përballë për të vazhduar kursin e dialogut dhe kompromisit. Atë që e arritën me kaq sukses të dy kryeministrat e Greqisë dhe Maqedonisë, vazhdimi i kursit me gjithë erën e fortë në radhët e veta.
Për fat të keq të ngjallet dyshimi, se dëshira për një zgjidhje me ujdi përmes bisedimeve direkte nuk ishte aq e pjekur. Sepse problemi i përfolur i madh i së premtes në bisedimet e Brukselit, se Kosova nuk do ta lejonte vizitën e Vuçiqit në Gazivodë u mënjanua përmes presionit ndërkombëtar. Edhe frika e kosovarëve se Serbia me Veriun e Kosovës kërkon të krijojë një tip Republika Srpska do të mund të ishte sqaruar përmes negociatave të mirëmoderuara nga ndërkombëtarët.
Koha nuk pret
Po si mund të përgatitet popullsia për një zgjidhje, kur politikanët kryesorë nuk janë në gjendje të përfaqësojnë së bashku një koncept. Ose të paktën një rrugë të përbashkët? E gjitha mbetet një teatër politik cinik. Tani mbetet shpresa për një ndërmjetësim intensiv europian, si e kërkon e ngarkuara e BE-së, Federica Mogherini. Koha nuk pret, sepse vitin e ardhshëm janë zgjedhjet europiane dhe nuk është aq e lehtë e parashikueshme, se çfarë do të ndodhë pas kësaj. Forca rrezatuese e një BE-je ndërmjetësuese, që josh me anëtarësimin në BE ka kohë që është dobësuar.
Pasi sot Vuçiq foli jo vetëm për muaj, por për vite, madje dekada deri sa të arrihet një normalizim i marrëdhënieve, shtrohet pyetja, nëse vërtet tek ai e të tjerë ekziston shtysa për një zgjidhje finale e të afërt në kohë? Por dihet se pa përfshirjen e politikanëve kryesorë në të dyja vendet, veçanërisht Vuçiqin në Serbi, nuk do të ketë zgjidhje. Ne duhet të përgatitemi për momente të tjera dramatike, se një fund i lumtur i këtij teatri politik është ende shumë larg./dw/
Fjalimi i Vuçiq: Serbia nuk do ta njohë pavarësinë e Kosovës
Presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiq para mijëra serbëve mbajti një fjalim në veri të Mitrovicës. Ai tha se nuk duket e afërt një marrëveshje finale Kosovë-Serbi.
Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, në ditën e dytë të vizitës në Kosovë, tha se Serbia kurrë nuk do ta njoh pavarësinë e Kosovës, por, as nuk do të nxisë luftë e konflikt në Kosovë. Këtë deklaratë Vuçiq, e bëri në një tubim para mijëra serbëve të Kosovës, që ishin mbledhur në sheshin kryesor të veriut të qytetit të Mitrovicës. “Ua them, se ata që deklarojnë se unë duhet të pranoj pavarësinë e Kosovës deri në fund të vitit, ju garantoj se kjo është gënjeshtër. Ajo për të cilën po angazhohem është një zgjidhje kompromisi dhe zgjidhje paqësore”, tha Aleksandër Vuçiq, duke e përsëritur edhe njëherë se nuk ka ndryshim kufiri. Ai tha se nuk duket e afërt një marrëveshje finale Kosovë-Serbi.
Jo ndryshim kufiri
“Kur u thonë se dua ta ndryshoj kufirin, nuk po ua thonë të vërtetën. Në fakt, unë dua t’i ndryshoj të drejtat e juaja dhe t’ua mundësojë të gjitha drejtat që u takojnë në botën e qytetëruar”, tha Vuçiq. Gjatë fjalimit të tij, Presidenti i Serbisë shfaqi shqetësimin e tij për natalitetin e ulët të serbëve, duke u bërë thirrje atyre “që të bëjnë sa më shumë fëmijë”.
“Serbët nuk do të largohen nga shtëpitë e tyre, do të jenë edhe shumë fëmijë të tjerë këtu. Zgjidhja nuk është afër, por besoj se mund të ndodhë në 10-20 vitet e ardhshme. Ne do të investojmë miliona euro në spitale, shkolla, do ta ndihmojmë popullin tonë në Kosovë. Do të shkojmë në çdo fshat, dhe do të zhvillojmë bizneset e tyre”, deklaroi Aleksandër Vuçiq. Ai tha se sot nuk mundi të zhvillojë një vizitë në një fshat të banuar me serb, “Banjë”, në rajonin e Drenicës për shkak që banorët shqiptarë me barrikada i pamundësuan atij që ta vizitojë këtë fshat dhe për shkak se qeveria e Kosovës e revokoi lejen për vizitë në këtë fshat.
“Herën tjetër do ta vizitojë edhe Banjën”
“U kërkoj falje serbëve të Kosovës që nuk kanë mundur të vijnë në këtë tubim, sepse disa njerëz të gjitha rrugët i bllokuan, dogjën goma, dru, gjuajtën me armë, sigurisht që ta frikësojnë dikë, ata që jetojnë në atdheun e tyre dhe askujt s’i kanë marr asgjë. Herën tjetër do ta vizitojë edhe Banjën, vendin të cilin u pengova të shkojë”, tha Vuçiq.
Presidenti i Serbisë, në një pjesë të fjalimit të tij tha se “Serbia po bëhet çdo ditë e më e madhe, dhe këtë për shkak se nuk është në konflikt me askënd”.”Sot, kemi më shumë se kurrë mbështetjen e botës. Faleminderit miqve tanë nga Rusia, të cilët politikisht ishin me ne, kur nuk ishte askush tjetër. Dhe kjo është arsyeja pse ne mund të zgjedhim të ardhmen tonë, dhe të themi se nuk duam të hyjmë në NATO, sepse duam të mbajmë neutralitetin tonë ushtarak”, tha Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq.