Dorëheqja e Thaçit, Besnik Mustafaj: Drejtësia e vetmja formë për të hequr njollën
Ish-ministri i Jashtëm Besnik Mustafaj ka folur në studion e ABC me gazetarin Endri Xhafolidhur me aktakuzën ndaj ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi. Mustafaj tha se e vetmja mënyrë për të hequr njollën në figurën e Thaçit është përmes drejtësisë. Ndalur te roli i Shqipërisë në këtë situatë, Mustafaj tha se ajo duhet të ngrejë problemin e kombit shqiptar se pse nuk dënohet agresori por viktima. Mustafaj foli edhe për Vjosa Osmanin, duke theksuar se ajo është përkohësisht në postin e presidentit dhe se për të mbajtur këtë status duhet të marrë votat e nevojshme.
“Për mua anomalia është te ngritja e akuzave dhe furnitorët e fakteve sepse ka shumë zëra sikur furnizuesit kryesorë të aktakuzës janë burime serbe. Unë kam qenë dhe e kam parë atë që quhet shtëpia e verdhë. Është një shtëpi fshati. Që kur doli raporti që u votua në asamblenë parlamentare të Këshillit të Europës, duhej bërë një gjë minimale nga qeveria e Kosovës dhe e Shqipërisë. Duhej marrë një kabinet avokatësh për të vërtetuar që e gjithë kjo është një shpifje që synon të përbaltë UÇK. Duhet të jemi realistë.
E vetmja mënyrë për t’ia hequr njollën Thaçit është përmes drejtësisë. Nuk ka asnjë mënyrë tjetër për t’ia hequr këtë njollë historisë së Kosovës. Ne duhet të merremi për të dalë nga kjo situatë. Shqipëria duhet të ishte një zëdhënëse në botë për të ngritur problemin dhe dilemat e kombit shqiptar se pse bëhet ky shballancim. Pse viktima kthehet në të akuzuar, ndërkohë që nuk janë dënuar, agresorët dhe xhelatët. Ne kemi një lidership të shqiptarëve që duhet korrigjuar, të pabesueshëm. Vjosa Osmani do ta mbajë në mënyrë të përkohshme statusin e presidentit por duhet të marrë votat. Goditjen që mund të jetë kjo që ndodhi për dialogun Kosovë-Serbi e dha në shtator. Tani mungesa e Thaçit është e amortizuar”, u shpreh Mustafaj.
Presidenti Hashim Thaçi konfirmoi sot aktakuzën e Prokurorisë Speciale ndaj tij duke njoftuar njëkohësisht edhe dorëheqjen si kreu i shtetit. Thaçi tha se do të përballej me këto akuza si qytetar i thjesht dhe jo si President i Kosovës.
/abcnews.al