Dyshime për varrezë masive në Zubin Potok, nisin gërmimet në Kalludër
Në fshatin Kalludër të Zubin Potokut, autoritetet kanë nisur gërmimet pas ngritjes së dyshimeve për varrezë masive nga lufta në Kosovë. Në terren janë angazhuar ekipet e Institutit të Mjekësisë Ligjore që kanë kryer gërmimet dhe ekzaminimet forenzike. Ndërkohë për shkaqe sigurie në vendngjarje janë paraqitur edhe ekipet e Policisë së Kosovës, krahas tyre edhe njësitet e EULEX-it.
Prokuroria Speciale ka konfirmuar se kërkesa për gërmime në Kalludër vjen në kuadër të dy rasteve të hetimit penal që udhëhiqen nga ky institucion, derisa ka bërë të ditur se dy personat ndaluar për 48 orë ditën e sotme kanë lidhje me rastin. “Në kuadër të këtij procesi, të martën janë ndaluar për 48 orë dy persona të dyshuar, M.J dhe M.B.”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë Speciale. Të njëjtët u arrestuan pikërisht në komunën e Zubin Potokut nën dyshimet për krime lufte.
Sipas dyshimeve të prokurorisë, ata gjatë periudhës së luftës, konkretisht gjatë vitit 1999, dyshohet se kanë kryer krime ndaj popullsisë civile, në rajonin e Mitrovicës, ku janë vrarë 23 civilë shqiptarë. “Si rezultat i veprimeve policore, janë arrestuar dy të dyshuar meshkuj kosovarë, pasi që dyshohet se gjatë luftës në vitin 1999 kanë kryer krime ndaj popullatës civile, ku janë vrarë 23 civil shqiptarë. Me vendim të prokurorit të dyshuarit janë dërguar në mbajtje”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës. Autoritetet në Kosovës nuk kanë dhënë informacione, megjithatë raportohet se mbetjet mortore u përkasin grupit të njohur si intelektualët e Mitrovicës, të zhdukur më 19 prill 1999.
KOHA JONË SONDAZH

