“Merkel nuk do të lejojë marrëzinë e Vuçiç, Thaçit dhe Mogerinit me kufijtë”
Gjermania nuk ka ndryshuar qëndrim lidhur me idenë e ndarjes së kufijve në Ballkan. Eksperti i Ballkanin pranë Këshillit të Politikave për Demokratizimin në Berlin, Bodo Weber, thotë se kancelarja gjermane Angela Merkel nuk do të lejojë marrëzinë që ka ndërmarrë presidentët Aleksandër Vuçiç, Hashim Thaçi dhe përfaqësuesja e lartë e BE, Frederika Mogerini për korrigjimin e kufijve.
Në një intervistë për “Deutsche Welle”, Bodo Weber deklaroi se kancelarja po lobon në gjithë vendet e BE që ideja e kufijve të mos merret në konsideratë. ”Gjermania u thotë jo ndryshimeve të kufijve apo këmbimit të territoreve në Ballkan”- tha Weber.
Për herë të parë eksperti gjerman kritikon jo vetëm Thaçin dhe Vuçiç, por edhe qëndrimin e përfaqësues së BE, Frederika Mogerini, të cilin e quan një marrëzi. Ai thotë disa vite më parë Serbia pranoi se Kosova nuk ishte më pjesë e saj. Sipas tij, është dështim i Frederika Mogerinit që sot në korridoret e BE po flitet për tema të rrezikshme si ndarje e kufijve. Weber thotë se Mogerni e ka kthyer BE 30 vite pas.
Ideja e ndarjes së kufijve duket se ka pasur mbështetje dhe në një pjesë të burokratëve të Bashkimit Europian, të cilët ua kanë sugjeruar këtë dhe presidentëve të Kosovës dhe të Serbisë. Jo rastësisht Mogerini dhe komisioneri Johannes Hahn janë angazhuar personalisht në këtë marrëveshje dhe kanë theksuar se ajo duhet të të mbyllet para zgjedhjeve të Parlamentit Europian. Mandati i tyre në si përfaqësues të BE përfundon pak para mbajtjes së zgjedhjeve në BE.
Tre përgjigjet e ekspertit të Ballkanin pranë Këshillit të Politikave për Demokratizimin në Berlin, Bodo Weber:
Pyetje: Zoti Weber, A mendoni se perëndimi ka filluar ta shohë çështjen ndryshimit të kufijve në Ballkan si një opsion të mundshëm për zgjidhjen e çështjes së Kosovës?
Përgjigje: Deklaratën e Kancelares Merkel e interpretoj se Gjermania do të këmbëngulë në qendrimin e saj: Jo ndryshim kufijsh në Ballkan, jo ndarje të Kosovës ose këmbim territoresh. Paçka se gjuha e zonjës Merkel ishte më e butë se në deklaratat e mëparshme. Edhe fakti që kryeministri Plenkoviç mbajti një qëndrim kaq të qartë dëshmon se Berlini është duke kërkuar partnerë në BE për të ndalur marrëzinë e këmbimit të territoreve, për çka janë dakord me sa duket Thaçi, Vuçiç dhe Mogherini.
Pyetje: Përse marrëzi?
Përgjigje: Dialogu arriti në vitin 2013 suksesin më të madh kur e bëri Serbinë të pranonte se Kosova nuk është më pjesë e saj, nëse ajo dëshiron të hyjë në BE. Që zonja Mogherini e futi dialogun në krizë dhe si rezultat nuk është në gjendje të ruajë vijat e kuqe, është dëshmi e dobësisë së BE-së. Është i çuditshëm fakti që në Bruksel flitet tani lirshëm për die të tilla, që vënë në rrezik rendin e aritur me kaq mund në këto 30 vjet në Ballkan. Kjo gjithashtu është dëshmi për dobësinë e Perëndimit përballë nacionalistëve në Ballkan që pas fitores së Trumpit shpresuan se tani do t’u jepej ndonjë shans agjendave nacionaliste të parealizuara në vitet ’90.
Pyetje: Çfarë do të ndodhë tani?
Përgjigje: Lind pyetja se si e kanë menduar Vuçiç, Thaçi dhe Mogherini. Një plan i tillë nuk do të jetë i realizueshëm. Gjermania nuk do të lëvizë nga pozicioni i saj. Kjo do të thotë se një marrëveshje për këmbime ose ndarje territoresh nuk do të jetë e realizueshme, edhe nëse palët në Bruksel bien dakord. Dhe në rastin më ekstrem, nëse do të ketë ndonjë konflikt, Berlini do ta ndalë perspektivën e Serbisë dhe Kosovës për BE. Dyshoj se aktorët që e trumpetuan këtë politikë, kanë shpresuar se po të kthehen të gjithë, do të kthehet edhe Berlini. Por i kanë bërë hesapet gabim. Pra, do të shohim destabilizim në javët e ardhshme në rajon dhe ndoshta negociatat për marrëveshjen përfundimtare të dialogut do të presin komisionin e ri dhe pasardhësin e Mogherinit.