Fabrika e prodhimit të municioneve në Kosovë, ministri jep detaje

Ministri i Mbrojtjes i Kosovës, Ejup Maqedonci jep detaje mbi fabrikën që do të ndërtojë Kosova për prodhimin e municioneve dhe dronëve. ”Ideja është që ta nisim me municione të kalibrit të vogël fillimisht, pastaj me të tjera. Kryesisht, do të jenë municione për përdorim nga Forca e Sigurisë së Kosovës. Përveç aspektit të prodhimit, kemi pasur parasysh që të kemi edhe standardet që do të përdoren për prodhimin e këtyre municioneve.

Jemi të sigurt që do të shkojmë në atë drejtim. Do të jetë mundësi edhe për vendet e rajonit, duke pasur parasysh që në vendet e rajonit nuk ka shumë mundësi për të blerë municione. Nuk ekziston ndonjë fabrikë në rajon që prodhon municion ushtarak sipas standardeve të NATO-s”, tha Maqedonci.

Kur u pyet se sa e rëndësishme është për Kosovën që të prodhojë vetë municione, Ejup Maqedonci u përgjigj: “Jashtëzakonisht e rëndësishme. Po shohim që të gjitha vendet e NATO-s po e zhvillojnë sektorin e armëve dhe municioneve. Në vendet e BE-së ka patur një ngecje në zhvillimin e industrisë ushtarake, duke qenë se nuk janë ndjerë të rrezikuar, por lufta në Ukrainë ka ndezur alarmin për të gjitha vendet e NATO-s. Në këtë aspekt, edhe vendi ynë e sheh të rëndësishëm industrinë e mbrojtjes”.

SHKARKO APP