Franca dhe Gjermania reagojnë pas aktgjykimit të Speciales: Aktgjykimi nuk shfajëson krimet e regjimit jugosllav
Franca dhe Gjermania kanë reaguar pas aktgjykimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë ndaj ish-krerëve të UÇK-së, duke kërkuar respektimin e vendimit dhe të procesit gjyqësor.
Përmes një deklarate, Ministria e Jashtme e Francës ka theksuar se aktgjykimi shënon përfundimin e proceseve të shkallës së parë në rastet kryesore, ndërsa ka rikujtuar se vendimi mund të apelohet.
“Ky vendim, i cili mund të apelohet, shënon përfundimin e proceseve të shkallës së parë para Dhomave të Specializuara, me përjashtim të rasteve që lidhen me pengimin e administrimit të drejtësisë”, thuhet në reagimin francez.
Parisi ka përsëritur gjithashtu mbështetjen për Dhomat e Specializuara të Kosovës dhe angazhimin e Francës në luftën kundër pandëshkueshmërisë. Në të njëjtën kohë, Franca ka rikonfirmuar mbështetjen për pavarësinë e Kosovës dhe institucionet e saj.
Edhe Gjermania ka reaguar përmes ambasadorit të saj në Prishtinë, Reiner Rudolph. Ai ka bërë një ndarje mes procesit gjyqësor ndaj individëve dhe luftës së UÇK-së për një Kosovë të pavarur.
“Ushtria Çlirimtare e Kosovës nuk ishte në gjyq dhe as synimi i saj për një Kosovë të pavarur”, deklaroi Rudolph.
Ambasadori gjerman theksoi se aktgjykimi nuk ndryshon përgjegjësinë e aktorëve jugosllavë për konfliktin dhe shkeljet e të drejtave të njeriut të kryera ndaj popullsisë së Kosovës gjatë viteve ’90.
Sipas Rudolph, krijimi i Dhomave të Specializuara dhe bashkëpunimi me Tribunalin Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë tregojnë, sipas tij, për përmbushjen e përgjegjësive të Kosovës në trajtimin e krimeve të luftës.
Ai shtoi se shkeljet në shkallë të gjerë të të drejtave të njeriut ndaj popullit të Kosovës në fund të viteve ’90 janë trajtuar edhe më herët nga gjykatat ndërkombëtare dhe kanë qenë ndër faktorët që çuan në ndërhyrjen e bashkësisë ndërkombëtare.
KOHA JONË SONDAZH

