FSK-ja e dërgon një ekip në Gazë për vlerësimin e vendit ku do të veprojë si pjesë e misionit paqeruajtës

Ekipi do të bëjë vlerësime paraprake dhe bashkërendim të aktiviteteve lidhur me zhvendosjen e trupave të FSK-së, si pjesë e Forcës Ndërkombëtare Stabilizuese (FNS), një nismë e mbështetur nga Shtetet e Bashkuara për Gazën.

Kosova e ka dërguar një ekip të Forcës së saj të Sigurisë (FSK) në Rripin e Gazës për të bërë një vlerësim të vendit ku pritet të veprojnë trupat kosovare si pjesë e një force ndërkombëtare në territorin palestinez, njoftoi FSK të dielën.

Kuvendi i Kosovës e miratoi me shumicë dërrmuese votash më 17 prill vendimin e mëparshëm të Qeverisë për të dërguar trupa në Forcën Ndërkombëtare Stabilizuese (FNS), si pjesë e nismës së mbështetur nga Shtetet e Bashkuara, pas armëpushimit midis Izraelit dhe Hamasit vitin e kaluar.

Hamasi është grup militant i shpallur terrorist nga SHBA dhe Bashkimi Evropian.

Swiss Digital Desktop Reklama

“Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, gjenerallejtënant Bashkim Jashari, ka dërguar një ekip të FSK-së në Gazë për të realizuar rikonicionin e zonës ku do të operojnë trupat e FSK-së”, thuhet në një njoftim të FSK-së.

Swiss Digital Mobile Reklama

Ekipi do të bëjë vlerësime paraprake dhe bashkërendim të aktiviteteve lidhur me zhvendosjen e trupave të FSK-së, të cilat do të veprojë brenda misionit paqeruajtës të FNS-së, e cila është mekanizëm i themeluar si pjesë e nismës së ashtuquajtur Bordi i Paqes nga presidenti amerikan, Donald Trump, për arritjen e paqes në botë.

FSK-ja në njoftimin e saj në Facebook nuk tregoi se kur ka udhëtuar ekipi për në Gazë, e as se sa kohë do të zgjasë vlerësimi i terrenit.

Forca Ndërkombëtare Stabilizuese nuk është vendosur në Gazë ende për të ndihmuar në ruajtjen e paqes, si dhe për rindërtimin e territorit të rrënuar palestinez, në përputhje me Bordin e Paqes.

Sipas raportimeve të transmetuesit publik izraelit KAN, misioni pritet të nisë angazhimin në Gazë nga muaji maj, përfshirë edhe dhjetëra ushtarë nga Kosova, megjithëse institucionet në Prishtinë nuk e kanë konfirmuar zyrtarisht këtë afat.

Kosova është në mesin e pesë shteteve të para – së bashku me Indonezinë, Marokun, Kazakistanin dhe Shqipërinë – që janë zotuar për angazhim në këtë mision.

Ministri i Mbrojtjes i Kosovës, Ejup Maqedonci, ka thënë më herët se kontingjenti i Kosovës do të përbëhet nga disa dhjetëra oficerë, përfshirë edhe njësi për çminim.

Sipas tij, trupat do të kenë detyra për ofrimin e ndihmës humanitare, asistencë në siguri dhe detyra të tjera të përcaktuara nga mandati i forcës për Gazën.

Përveç autorizimit për dërgimin e trupave, Kuvendi duhet të miratojë edhe marrëveshjen për anëtarësimin e Kosovës në Bordin e Paqes.

FSK-ja ka rreth 4.000 pjesëtarë dhe është në proces të shndërrimit në ushtri të plotë profesionale deri në vitin 2028.

REL

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

Kush mendoni se duhet të jetë në emër të PD dhe opozitës kandidat për kryebashkiak në Tiranë?