Hajrushi ynë, i vrarë në Bijelinë të Bosnjës (dhe indiferenca e Tiranës e Prishtinës)

Ndër viktimat e para të agresionit serb kundër Bosnjës kanë qenë shqiptarët. Çfarë dimë për këta njerëz? Gati asgjë. Sepse as në Prishtinë, as në Tetovë, as në Tiranë nuk është bërë gjë për të dokumentuar krimet ndaj shqiptarëve në Bosnjë-Hercegovinë

Nga Enver Robelli

Ndër viktimat e para të agresionit serb në Bosnjën lindore kanë qenë shqiptarët. Njerëz punëtorë që kishin furra buke, byrektore, dyqane, lokale të vogla akulloresh. Banda e paramilitarëve serbë të Arkanit në pranverën e vitit 1992 shkoi nga Beogradi në Bijelinë, në Bosnjën lindore. Vrau civilë.

Ndër viktimat e para qenë shqiptarët. Ndër ta Hajrush Ziberi nga rrethina e Shkupit. Historia e këtij djali është relativisht saktë e dokumentuar falë dy fotografive. Fotografi amerikan Ron Haviv kishte arritur të merrte lejen t’i shoqëronte trupat e Arkanit në qytetin e Bijelinës. Haviv ka arritur ta fotografonte Hajrushin pak para se të vritej nga paramilitarët serbë. Viktima i çon duart lart dhe lutet për mëshirë. Por mëshirë nuk ka. Trupat e Arkanit përbëheshin nga “guerilja urbane” e Beogradit, fansa të ekipit të futbollit “Cërvena Zvezda”, padronë të nëntokës, “heronj” të jetës së natës të kryeqytetit serb, kjo ishte bërthama nga e cila Arkani krijoi “ekipin” e tij për vrasje.

Në atë kohë njëri nga huliganët e “Cërvena Zvezdës” ishte njëfarë Aleksandar Vuçiqi, i cili më vonë u bë reporter i një radioje propagandistike në Pale, ku gjendej shtabi i forcave serbe që “koordinonte” bombardimin e Sarajevës. Në një fotografi tjetër dy paramilitarë serbë i hedhin benzinë mbi kokë Hajrush Ziberit. Ai ishte vetëm 24-vjeçar kur u vra. Punonte kamerier në Bijelinë. Fotografinë tjetër, të dytën, e ka bërë Sërgjan Iliq.

Trupi i Hajrush Ziberit u gjet në lumin Sava më 4 maj 1992. Pas përcaktimit të identitetit u varros në Maqedoni, në vitin 2004. Hajrushi nuk është viktima e vetme. Janë vrarë shumë civilë shqiptarë në luftën e Bosnjës. Në Bijelinë forcat serbe vranë po ashtu vëllezërit Përparim e Vllaznim Rexhbeqaj, bukëpjekës nga Gjonaj i Prizrenit. Si trupi i Hajrush Ziberit edhe trupat e vëllezërve Rexhbeqaj u gjetën në lumin Sava. Janë varrosur në vendlindje.

Të gjithë këta dhe shumë të tjerë janë viktima. Si shoqëri shqiptare në Ballkan nuk dimë pothuaj asgjë për këta njerëz. Sepse institucionet nuk kanë bërë asgjë për të dokumentuar këto krime. Kemi institute të historisë në Prishtinë e Tiranë, Akademi Shkencash në Tiranë e Prishtinë, në Maqedoni shqiptarët kanë ndikim në jo pak institucione, kemi ministri të kulturës në tri shtete që mund të bëjnë diçka, kemi ministri të jashtme, kemi edhe institucione arsimore – askush, askush, askush nuk ka bërë gjë për këta njerëz, as shumica e mediave që kryesisht “investojnë” në ndotjen e ambientit publik për interesat e tyre kriminale.

Një libër nuk është shkruar për viktimat shqiptare në Bosnjë. E nuk është punë e vështirë të shkruhet së paku një libër. Shtetet që i mbajnë shqiptarët në rajon duhet të ndajnë pak mjete për projekte që dokumentojnë krimet. Sot nuk dimë asgjë për Hajrushin dhe shumë shqiptarë të tjerë që thika gjakatare e kriminelëve serbë ua preu jetën.

Kosova, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut nuk janë shtete të pasura, por aq para kanë sa për të financuar një projekt për dokumentim të krimeve. Në çdo përvjetor të Srebrenicës politikanët shqiptarë bëhen sikur po pikëllohen për gjenocidin. Por për bashkëkombësit e tyre të vrarë në Bosnjë nuk dinë gjë. Sepse ua ka verbuar sytë padituria, poshtërsia, mizoria dhe etja për të kontrolluar, vjedhur e plaçkitur çdo gjë.

Për fat të keq, qëndrimi i politikanëve boshnjakë (myslimanë) të Bosnjës ndaj Kosovës mbetet ambivalent. Për shkak të vetos së serbëve, Bosnja nuk ka qenë në gjendje të heqë vizat për qytetarët e Kosovës. Para disa vjetësh një politikan i serbëve të Bosnjës hyri në Kosovë për të vizituar Manastirin e Deçanit. Por a ka shprehur ndonjëherë dëshirë apo a ka kërkuar të vizitojë Kosovën Bakir Izetbegoviqi? Për aq sa dihet, jo. Apo Haris Silajxhiqi, i cili ka studiuar në Universitetin e Prishtinës dhe ka doktoruar mbi marrëdhëniet shqiptaro-amerikane para Luftës së Dytë Botërore? A ka kërkuar Fahrudin Radonçiqi ta vizitojë Kosovën?

Nuk është e panjohur Kosova për të: më 1990 ai si gazetar i revistës “Danas” të Zagrebit ka botuar një libër-intervistë me Adem Demaçin. Kosova nuk duhet të “blejë” secilin arsyetim të boshnjakëve se “nuk po mund të bëjmë gjë për shkak të serbëve”. Nëse nuk mund ta njohë Bosnja Kosovën, përse nuk ka nisma nga qyteti i Sarajevës apo nga kantoni i Sarajevës për të hapur një zyrë në Prishtinë? Përse nuk ka më shumë vetëdijesim të opinionit boshnjak mbi rolin e shqiptarëve në mbrojtjen e Bosnjës në vitet ‘90? Përse nuk ka kronika e artikuj në shtypin e Bosnjës mbi krimet serbe në Kosovë në vitet ‘90? Në këto pyetje duhet të përgjigjen vetë boshnjakët.

SHKARKO APP