Helmimi i 26 numëruesve të votave, VV: Pakot me fletëvotime u sollën në mënyrë të jashtëligjshme nga Serbia

Lëvizja Vetëvendosje ka kërkuar që të nisë një hetim për pakot me fletëvotime të ardhura nga Serbia. Në reagimin e tyre zyrtarë, VV-ja thekson se ato pako kanë mbërritur në Kosovë jo nëpërmjet postës, siç e kërkon ligji, por në rrugë të paligjshme dhe në mënyrë të organizuar nga shteti i Serbisë.

“Helmimi i punonjësve të operacionit të votimit përmes postës ka shqetësuar familjarët e stafit, por edhe opinionin publik. Autoritetet shtetërore duhet të hetojnë shkaqet e këtij helmimi, ashtu siç duhet të hetojnë pakot e ardhura nga Serbia në mënyrë të organizuar nga shteti i Serbisë. Këto pako me fletëvotime nuk kanë ardhur përmes postës, ashtu siç e kërkon ligji për zgjedhje por janë sjellë kundërligjshëm nga zyra ndërlidhëse e Serbisë. Këto fletëvotime të sjellura kundërligjshëm duhet të refuzohen. Shërbimi profesional i KQZ-së duhet ta vazhdojë punën në vlerësimin dhe numërimin e saktë të votave të ardhura nga mërgata. Pakot me fletëvotime të dërguara nga bashkatdhetarët, e të cilat janë verifikuar dhe vlerësuar, duhet të dërgohen në Qendrën e Numërimit dhe të Rezultateve për t’u numëruar”, shkruhet në njoftimin e VV-së.

Mediat kosovare raportojnë se 26 numërues votash, mes tyre dy gra shtatzënë, kanë qenë duke numëruar në Qendrën e Numërimit të Rezultateve dhe në kohën kur janë hapur pesë kutitë me zarfe të ardhura nga Serbia, kanë shfaqur shenja alergjie në fytyrë dhe duar. 9 prej tyre janë shtruar në spital ku po marrin trajtim të nevojshëm mjekësor, ndërsa procesi i numërimit për votat e ardhura nga Serbia është ndërprerë.

Swiss Digital Desktop Reklama
Swiss Digital Mobile Reklama

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

Kush mendoni se duhet të jetë në emër të PD dhe opozitës kandidat për kryebashkiak në Tiranë?