Hoxha rrëfen fjalët e Nexhmijes: Kur vdesim, merret Zoti me ne

“Kur vdesim, merret Zoti me ne. Për së gjalli, le të merren të tjerët”, kështu i ishte shprehur pak kohë më parë, e ndjera Nexhmije Pagarusha mikeshës së saj, Radije Hoxha. Kjo e fundit në një lidhje telefonike në emisionin “Shqipëria Live”, rrëfeu diçka më shumë rreth ikonës së Kosovës. Teksa vuante prej kohësh nga një sëmundje e rëndë, amaneti i saj ishte që të varrosej në vendlindje, në fshatin Pagarushë në komunën e Malishevës, Kosovë. Artistja kish’ kërkuar që të varrosej në një ceremoni private, ku të mos lejohej prania e shtetit në ceremoninë mortore. Pagarusha, një emër i ndritur në muzikën shqiptare do të jetojë përjetësisht në kujtesën e kombit për këngët “Baresha”, “E dehur jam”, “Ani mori nuse”, “Mora testin”, “Dallëndyshe” dhe shumë të tjera.

Artistja e madhe lindi në Pagarushë, më 7 maj 1933. Në Beograd vijoi shkollën e muzikës për solo kanto, të cilën e la në vitin e tretë dhe nuk e vazhdoi më. Po ashtu në Beograd pati paraqitjen e parë muzikore në skenë. Në vitin 1948 u pranua soliste në Radio Prishtinë. Bashkëpunoi edhe me këngëtarët nga Shqipëria dhe u shfaq në Shqipëri me ansamblin “Shota” me rastin e një turneu. “Baresha” është një ndër kryeveprat e interpretimit të saj. Kjo këngë u kompozua nga bashkëshorti Rexhep Mulliqi, me tekstin e poetit Rifat Kukaj.

Nexhmije Pagarusha interpretoi në një koncert të muzikës klasike veprat e përkthyera shqip të Bethovenit, Puçinit, Verdit. Ky koncert ka qenë i pari i këtij lloji. Fatkeqësisht, asnjëri nga organizatorët teknikë nuk mendoi ta regjistronte këtë koncert! Për fat të keq, nuk janë evidentuar as të gjitha koncertet dhe repertori i këngëve të kënduara prej saj, sepse, siç vetë Pagarusha është shprehur, për të vetëm muzika ishte me rëndësi; ajo dhe muzika ishin një. Mendohet se Bilbili i Kosovës ka interpretuar mbi 150 këngë.

SHKARKO APP