Hoxhaj: Në vitin 2026 Serbia njeh Kosovën
Kosova dhe Serbia do të arrijnë njohjen reciproke në vitin 2026. Lajmin e jep nënkryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj. Ai kritikon qeverinë Kurti, e cila sipas tij ka dështuar në politikën e jashtme. Për të Kosova është e izoluar në raport me aleatët.
“Me marrjen e pushtetit nga ana e PDK-së ne do të bëjmë disa hapa konkret në dialog. Hapi i parë do të jetë që pas tre muajve pasi të merr PDK-ja pushtetin, ne do të kemi një platformë të re në dialog e cila përfshinë një strukturë gjithëpërfshirëse të të gjitha partive politike. Kjo përfshinë edhe shoqërinë civile dhe ky dialog do të ndjek një qëllim dhe ide të vetme që është njohja e ndërsjellë.
Ne mendojmë se gjatë vitit 2026 mund të krijohet një situatë e favorshme për të arritur një marrëveshje për njohje të ndërsjellë mes Kosovës dhe Serbisë. Ne nuk shohim që të zbatojmë diçka pa e pasur njohjen e ndërsjellë në tavolinë. Presim nga partnerët tanë që të ndëshkojnë Serbinë, pasi politika e mosndëshkimit të Perëndimit ka sjell sulmin në Banjskë dhe Ibër-Lepenc. Sikurse edhe që një qeveri jokredibile në Kosovë që t’i bind partnerët tanë se burim i së keqes është Serbia, duke mos ditur të sillet ndërkombëtarisht”, tha nënkryetari i PDK-së Enver Hoxhaj.
Hoxhaj tha se Marrëveshja Bazë e Brukselit dhe aneksi i Ohrit, të arritur në vitin 2023 ndërmjet Kosovës dhe Serbisë me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, i ka sjell “dëme kolosale vendit, duke hequr njohjen e ndërsjellët nga tavolina”.
“Kjo marrëveshje e Brukselit i ka ofruar një fitore diplomatike kolosale Serbisë dhe një dëm po aq të madh kolosal Kosovës duke hequr njohjen e ndërsjellë nga tavolina. E ka bërë marrëveshjen finale si një marrëveshje të ndërmjetme, të përkohshme. Në fakt është ngrirë e ardhmja e Kosovës në strukturat euro-atlantike”, theksoi Hoxhaj.