I mbijetuari i masakrës serbe në Dubravë: E dhimbshme, Serbia po feston, Thaçi me siguri ka pasur premtim për Specialen

Dalja e udhëheqjes së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nuk i ka lënë shije të mirë ish-zëvendësministrit të Mbrojtjes në qeverinë e Albin Kurtit, Enver Dugolli.

Ashtu siç deklaruan Krasniqi dhe Thaçi para Dhomave të Specializuara të Hagës, edhe Dugolli në një intervistë për RTV Ora insiston se lufta e UÇK-së ishte e drejtë dhe akuzat janë të pabaza.

Dugolli: Ishte e dhimbshme që të shohim zëdhënësin e UÇK të përballet me akuza të padrejta, tejet të rënda ndërsa zëdhënësi i Millosheviçit udhëheq dikasterë të rëndësishëm në Serbi, tani kryetar i Kuvendit. Dihet botërisht që Serbia ka kryer krime gjenocidale anembanë Kosovës. Kjo është për ironi të fatit të ushtarëve të UÇK që pas 20 vitesh përballen me akuza të pabaza sepse UÇK kishte synim çlirimin e Kosovës dhe jo maskra dhe vrasje të civilëve serbë apo etnive të tjera.

Aksioni për arrestimin e tyre në Kosovë ishte gjithashtu demonstrativ dhe i dhunshëm, por Dugollit më shumë se procedurat i dhembin akuzat ndaj tyre që sips tij synim final kanë përbaljtjen e luftës çlirimtare.

Dugolli: Trajtimi i zotit Krasniqi dhe të tjerëve që po përballen me drejtësinë në gjykatën Speciale janë procedura. Mua nuk më dhembin shumë procedurat sesa akuza tejet e rëndë, ndërmarrje kriminale quhen pjesëtarët e Shtabit të Përgjithshëm të UÇK. Që në start na jep të kuptojmë se prokuroria ka ndërtuar një aktakuzë jashtëzakonisht të njëanshme, le të kuptohet se ka premisa të gjykohet lufta.Është terësisht e pafalshme, e padrejtë dhe mbi të gjitha e dëmshme për Kosovën dhe shtetin e Kosovës.

Ish i burgosuri politik është vetë dëshmitar i masakrave serbe në burgun famëkeq të Dubravës.

Dugolli: Çuditërisht drejtësia ndërkombëtare dhe drejtësia në Kosovë nuk ka vepruar që të gjykojë dhe ndjekë krimet serbe por pretendohet për qëndra ndalimi që janë hipoteza. Ndërkohë dihet që Serbia në burgje zyrtare ka kryer krime, masakra. Unë vetë jam përjetues i masakrës së Dubravës, fatmirësisht kam shpëtuar. Në burgun e Dubravës janë maskruar mbi 150 shqiptarë dhe pas 20 vitesh ende nuk ka drejtësi për ata djem, ata burra që u vranë padrejtësisht pa gjyq nga duart e drejtësisë serbe.Sot pretendohet për disa qendra ndalimi hipotetike që nuk janë vërtetuar asnjëherë që kishte UÇK për arsye se ishte luftë shumë e pabarabartë. Edhe po të donte nuk ka pasur mundësi të ndërtonte qendra ndalimi.

Por përgjegjësinë për këtë situatë Dugolli e gjen dhe te klasa politike në Kosovë.

Dugolli: Përgjegjësia më e madhe bie te Presidenti i dorëhequr Hashim Thaçi që ishte edhe dy herë Kryeministër, pastaj Veseli, Krasnqi që ishin në pozita udhëheqëse shtetërore dhe asnjëherë nuk arritën që të vërtetën e thënë me qindra herë nga shumë të burgosur që kanë përjetuar maskra të tmerrshme në burgun e Dubravës dhe anembanë Kosovës, nuk arritën të bëjnë një Tribunal që do të gjykonte krimet pa marrë parasysh se kush i ka kryer dhe ku janë kryer. Tani jemi para një situate, edhe vetë Thaçi kontribuoi shumë që të ngrihej kjo gjykatë.

Por pse Thaçi insistoi aq shumë për votimin e Speciales?

Dugolli: VV që atëherë e kundërshtoi themelimin e kësaj gjykate njëetnike.Klasa politike dhe deputetët të shtrënguar nga zoti Thaçi u mashtruan dhe e votuan atë gjykatë. Ndoshta kishte ndonjë premtim se po ta dinte zoti Thaçi mesiguri që nuk do ta lejonte të formohej kjo gjykatë, gjithësesi e dëmshme. Sot në gjithë mediat botërore kryelajm është se presidenti i Kosovës përballet me akuza për krime lufte. Ky është dëm shumë i madh. Serbia po feston, i ka kryer disa punë dhe po vazhdon të kryejë punë ende.

RTV Ora - “UÇK” në Hagë, i mbijetuari i masakrës serbe në Dubravë: E dhimbshme, Serbia po feston

SHKARKO APP