I ofroi dorëheqjen partisë, Lumir Abdixhiku i mbijeton votëbesimit në Kuvendin e LDK-së
Lumir Abdixhiku i ka mbijetuar votëbesimit që e ka kërkuar në Kuvendin e Lidhjes Demokratike të Kosovës. Ai i ofroi Kuvendit të partisë dorëheqjen e tij nga pozita e kryetarit, pas rezultatit të shënuar në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit. Në këtë proces zgjedhor, LDK-ja fitoi 13.24 për qind të votave, rezultati i dytë më i keq qysh prej pasluftës.
Disa figura partiake kanë kërkuar dorëheqjen e tij të parevokueshme, duke mos u pajtuar me votëbesim. Në mesin e tyre është Hykmete Bajrami, e cila ka dhënë dorëheqje të parevokueshme nga pozita e nënkryetares së partisë dhe e ka kërkuar të njëjtën edhe nga Abdixhiku.
“Unë kam zgjedhur të dalë para jush, jo sepse e kam të lehtë, por sepse e ndjej të domosdoshme, sepse kam besuar gjithmonë se njeriu nuk matet kur gjithçka shkon mirë, por kur duhet të flasë edhe atëherë kur fjala i dridhet”, ka thënë Abdixhiku gjatë fjalimit të mbajtur të shtunën para Kuvendit partiak. Ai ka thënë më herët gjatë së shtunës se Kuvendi është organi më i lartë i partisë dhe rrjedhimisht ai vendos për gjithçka.
“I siguroj të gjithë anëtarët LDK-së që nga ky debat do të dalim edhe më të unifikuar, edhe më të fortë, e më të gatshëm për të ardhmen më të mirë që na pret përpara. Me shumicë votash e përcaktojmë fatin tonë politik”.
Pas fjalimit të Abdixhikut, Kuvendi i ka zhvilluar punimet me dyer të mbyllura. Anëtari i kësaj partie, Avdullah Hoti e ka shpallur ditë më parë kandidaturën për kryetar të partisë, por të shtunën duket se ka pasur diskutime vetëm për performancën e Abdixhikut. Lidhja Demokratike e Kosovës është një nga partitë më të vjetra në Kosovë, e themeluar në vitin 1989 nga Ibrahim Rugova. Ajo ka luajtur rol kyç në periudhën e rezistencës paqësore dhe në ndërtimin e institucioneve demokratike të vendit./REL/
KOHA JONË SONDAZH

