Ish-ministrja e Thaçit që u bë zgjidhja e Kurtit

Lëvizja Vetëvendosje (LVV) dhe Partia Demokratike e Kosovës (PDK) kaluan vite duke treguar se sa shumë i ndan politika.

LVV-ja, madje, ndërtoi një pjesë të identitetit të saj politik mbi kritikat ndaj qeverisjeve të PDK-së.

Megjithatë, kur u përballën me mundësinë e zgjedhjeve të reja, dy rivalët gjetën një emër të përbashkët: Justina Shiroka Pulën, ish-ministre e PDK-së, të cilën LVV-ja e propozoi për presidente.

Swiss Digital Desktop Reklama

Kompromisi u arrit në orët e fundit të afatit për zgjedhjen e kreut të shtetit dhe përfshiu edhe një çështje tjetër: ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara të Kosovës, të cilat PDK-ja i kishte propozuar dhe LVV-ja kishte shprehur dyshime për efektet e tyre.

Swiss Digital Mobile Reklama

Në fund, Shiroka Pula u zgjodh presidente me 81 vota, ndërsa ndryshimet ligjore u miratuan me 88 vota.

Por, çfarë e bëri një ish-zyrtare të PDK-së të pranueshme për LVV-në? Dhe, a ishte kompromisi shenjë e afrimit mes dy partive apo thjesht rezultat i interesave që u përputhën në një moment vendimtar?

Nga përplasjet te shtrëngimi i duarve

Më 6 tetor, jashtë Kuvendit të Kosovës, protestuesit kërkonin ndryshimin e ligjit që rregullon funksionimin e Gjykatës Speciale në Hagë.

Tensionet ishin të larta pas përleshjeve të një nate më parë, kur policia kishte përdorur gaz lotsjellës dhe topa uji, ndërsa protestuesit kishin hedhur gurë dhe mjete piroteknike.

Brenda Kuvendit, partitë përballeshin me një tjetër presion: nëse nuk arrinin ta zgjidhnin presidentin, vendi rrezikonte të shkonte në zgjedhje të reja parlamentare – të katërtat në më pak se dy vjet.

Megjithëse LVV-ja kishte nevojë për votat e PDK-së për presidentin, ndërsa PDK-ja për mbështetjen e LVV-së për ndryshimet ligjore, dy partitë vazhdonin të përplaseshin publikisht.

Kryeministri dhe kryetari i LVV-së, Albin Kurti, e akuzonte PDK-në se nuk pranonte të takohej për të arritur marrëveshje.

“Përveçse nuk duan bashkëpunim, tash nuk duan as takim. Atëherë, si mund të kërkohet marrëveshje pa takim, pa bisedim, pa bashkëpunim”, deklaronte Kurti.

Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, e paraqiste ndryshe pengesën.

“Kemi pasur mjaftueshëm takime. Unë në Kuvend kam qenë. Gjithë ditën këtu kam qenë. Por, me takime me ndryshime të qëndrimeve, është problem të arrihet te marrëveshja. Nuk ka seriozitet”, thoshte ai.

Përplasjet nuk i ndalën ofertat.

Brenda pak më shumë se tetë orësh, Kurti doli tri herë para mediave, duke paraqitur emra dhe kushte të ndryshme për marrëveshjen.

Fillimisht propozoi Bekim Sejdiun, më pas Glauk Konjufcën ose Feride Rushitin, duke e lidhur në secilin rast zgjedhjen e presidentit me miratimin e ndryshimeve në Ligjin për Specialen.

Në konferencën e tretë, ai paraqiti një emër tjetër: Justina Shiroka Pula.

“Edhe pse nuk e kemi pasur mundësinë të bisedojmë me zonjën Shiroka Pula, për Partinë Demokratike të Kosovës është një emër i pranueshëm për presidente”, deklaroi Hamza.

Brenda minutash, përfaqësuesit e dy partive shtrënguan duart.

Më vonë, Kuvendi miratoi ndryshimet ligjore dhe kaloi në zgjedhjen e presidentit. Për këtë pozitë ishin propozuar dy kandidatura: Justina Shiroka Pula dhe Eliza Hoxha.

Shiroka Pula siguroi 81 vota dhe, në minutat e para të 7 tetorit, u betua si presidente e Kosovës.

“Do të jem presidente e të gjithë qytetarëve, pa dallim politik, etnik apo shoqëror. Do të punoj për unitet, drejtësi, zhvillim dhe për përforcimin e institucioneve tona”, deklaroi ajo.

Dy interesa, një marrëveshje

Secila nga partitë e paraqiti marrëveshjen si sukses.

PDK-ja mori mbështetjen për ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara, të cilat kishin qenë ndër kërkesat kryesore të protestuesve pas aktgjykimit ndaj katër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës; LVV-ja siguroi zgjedhjen e presidentes dhe shmangu rrezikun e zgjedhjeve të reja.

Shefja e Grupit Parlamentar të LVV-së, Arbërie Nagavci, pranon se shmangia e një tjetër procesi zgjedhor ishte pjesë e llogaritjeve të tyre politike dhe se partia vazhdon të mbetet skeptike se ndryshimet në Ligjin për Specialen do të ndikojnë në dënimet e ish-krerëve të UÇK-së.

“Natyrisht, në këtë situatë kemi vepruar me besimin se akademike Justina Shiroka Pula do ta kryente me përgjegjësi të lartë mandatin e saj si presidente e vendit. Pra, është një person te i cili kemi besim dhe këtë e dëshmuam edhe me votën tonë”, thotë Nagavci për programin Expose të Radios Evropa e Lirë.

Ajo e arsyeton përzgjedhjen e një ish-zyrtareje të PDK-së me përgatitjen profesionale, integritetin dhe përvojën e saj.

Sipas Nagavcit, Shiroka Pula është e vetëdijshme për përgjegjësinë që të qëndrojë mbi partitë politike.

Vetë presidentja nuk i shpjegoi publikisht rrethanat e kandidimit të saj, përfshirë nëse ishte konsultuar paraprakisht me partitë dhe çfarë e bindi ta pranonte propozimin e Kurtit.

As PDK-ja nuk dha një shpjegim të hollësishëm për arsyet e mbështetjes së saj.

Zyrtarët e kësaj partie nuk iu përgjigjën pyetjeve të Radios Evropa e Lirë nëse kishin diskutuar për kandidaturën e Shiroka Pulës përpara propozimit të Kurtit dhe çfarë e bëri atë të pranueshme.

Megjithatë, emri i saj nuk ishte i ri në diskutimet për Presidencën.

Në mars, kur partitë po kërkonin një pasuese të Vjosa Osmanit, gazeta KOHA raportonte se Shiroka Pula ishte ndër emrat që kishin mbështetje brenda PDK-së për një kandidaturë konsensuale.

Nga Qeveria e Thaçit në Akademinë e Shkencave

Kur u zgjodh presidente, Shiroka Pula kishte më shumë se 12 vjet që ishte larguar nga politika aktive.

Përvoja e saj politike lidhej drejtpërdrejt me PDK-në dhe qeverisjen e Hashim Thaçit.

Nga viti 2008 deri më 2011, ajo drejtoi Ministrinë e Energjisë dhe Minierave, në kohën kur Qeveria po shtynte përpara projektin e termocentralit “Kosova e Re”.

Më pas, deri në vitin 2014, ishte deputete e PDK-së në Kuvendin e Kosovës.

Lidhjen me këtë parti e kishte konfirmuar edhe më 2013, kur u përfol se mund t’i bashkohej nismës së re politike të Fatmir Limajt.

Ajo i mohoi raportimet, duke deklaruar se ishte dhe do të mbetej pjesë e Grupit Parlamentar të PDK-së.

Pas përfundimit të mandatit si deputete, Shiroka Pula iu kthye angazhimit akademik si profesoreshë e ekonomisë.

Në vitin 2016 u zgjodh anëtare korrespondente e Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, ndërsa më 2020 u bë anëtare e rregullt.

Në fund të vitit 2025, ajo u bë gruaja e parë në krye të këtij institucioni.

Sipas analistit politik, Arben Qirezi, distanca e saj nga politika aktive është një nga faktorët që ndihmojnë për ta kuptuar pranueshmërinë e kandidaturës.

“Ka shumë njerëz që kanë të kaluar politike. Ajo nuk vjen nga radhët e PDK-së si presidente e Kosovës, por vjen nga Akademia e Shkencave dhe Arteve të Kosovës”, thotë Qirezi për Exposenë.

Ai vlerëson se e kaluara partiake nuk duhet të jetë përcaktuese për emërimin e një personaliteti në një detyrë të rëndësishme publike.

Vlerësim pozitiv për pavarësinë e saj jep edhe Petrit Selimi, ish-ministër i Jashtëm i Kosovës, i cili e njeh Shiroka Pulën nga koha kur të dy ishin pjesë e PDK-së.

“Nëse dikush mendon se mund ta kontrollojë apo t’i bëjë presion apo ta ndikojë, gabohet, sepse është shumë e pavarur. Ka mendime precize dhe koncize për gjërat. Di të thotë ‘po’ dhe di të thotë ‘jo’ kur duhet”, thotë Selimi për Exposenë.

Megjithatë, ai dyshon se LVV-ja mund ta ketë propozuar Shiroka Pulën nga frika e një rezultati të pafavorshëm në zgjedhje të reja, duke supozuar se partia mund të ketë pasur sondazhe për mbështetjen e saj elektorale.

Kjo mbetet një hipotezë e Selimit dhe jo një motiv i konfirmuar i vendimmarrjes së LVV-së.

A u afruan dy rivalët politikë?

Për Qirezin, marrëveshja nuk duhet interpretuar domosdo si afrim politik mes LVV-së dhe PDK-së.

Sipas tij, ajo u bë e mundur sepse interesat e dy partive u përputhën në një moment të caktuar.

“… edhe të Lëvizjes Vetëvendosje, edhe të Partisë Demokratike të Kosovës. Një përputhshmëri e tillë e interesave dhe e synimeve – me fjalë të tjera, miratimi i Ligjit për Gjykatën Speciale dhe shmangia e zgjedhjeve të parakohshme – ka bërë që këto dy parti të pajtohen për një personalitet më të pranueshëm”, thotë ai.

Në këtë kuptim, zgjedhja e Shiroka Pulës nuk dëshmon se dallimet mes dy partive janë zvogëluar, por se ato ishin në gjendje të bashkëpunonin për dy objektiva konkrete.

Nëse marrëveshja do të mbetet përjashtim apo do të hapë rrugë për bashkëpunim të mëtejshëm, mbetet të shihet.

Selimi mendon se pengesat mes LVV-së dhe PDK-së nuk lidhen vetëm me dallimet politike.

“Nganjëherë problemi nuk ka qenë ideologjik mes PDK-së dhe LVV-së, por më shumë një mosdurim njerëzor, një antagonizëm i ndërtuar ndër vite”, thotë ai.

Sipas tij, ky antagonizëm është ushqyer edhe nga mënyra se si janë trajtuar politikisht ata që kanë qenë pjesë e qeverisjeve të mëparshme: si pjesë e “regjimit të vjetër”.

Nga kompromisi politik te përgjegjësia shtetërore

Për Shiroka Pulën, marrëveshja që e solli në Presidencë tashmë i përket së kaluarës. Përgjegjësia e saj tani është të ushtrojë mandatin në mënyrë të pavarur nga partitë që e zgjodhën.

Kushtetuta e Kosovës e përcakton presidentin si kreun e shtetit dhe përfaqësuesin e unitetit të popullit.

Presidenti përfaqëson vendin brenda dhe jashtë, ka kompetenca në politikën e jashtme dhe përgjegjësi për garantimin e funksionimit kushtetues të institucioneve.

Për Qirezin, aftësia e Shiroka Pulës për të qëndruar mbi ndarjet politike do të jetë një nga provat e mandatit të saj.

“Shpresoj se me zgjedhjen e saj, polarizimet aktuale në shoqërinë kosovare dhe në politikën kosovare do të tejkalohen, nëse zonja Shiroka Pula do ta luajë rolin unifikues që i takon funksionit të presidentit të shtetit”, thotë ai.

Në vizitën e parë pas marrjes së detyrës, Shiroka Pula zgjodhi tri ndalesa: Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz, varrin e presidentit historik, Ibrahim Rugova, dhe atë të veprimtarit Adem Demaçi – tri figura që përfaqësojnë kapituj dhe tradita të ndryshme të historisë politike të Kosovës.

Në pesë vjetët e ardhshëm, roli i saj do të shkojë përtej simbolikës së këtyre vizitave.

Zhvillimet ndërkombëtare, marrëdhëniet e Kosovës me aleatët dhe përpjekjet për forcimin e pozitës së saj ndërkombëtare pritet ta vendosin atë përballë çështjeve me peshë si politike, ashtu dhe institucionale/REL/

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

PS a duhet të kandidojë në Bashkinë e Tiranës nga politika apo shoqeria civile?