Ish-presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu: Nuk ka kompetencë kushtetuese Thaçi

Ish- Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, në një intervistë për KALLXO.com thotë se Kushtetuta e Kosovës nuk ia lejon Presidentit Hashim Thaçi të diskutojë tema për të cilat nuk është i mandatuar t’i diskutojë gjatë procesit të dialogut me Serbinë.

Duke folur për idenë e “korrigjimit të kufijve”, Sejdiu u shpreh se hapja e temave të tilla mund të nxisë reagime tjera dhe të hapë tema tjera në rajon.

Në këtë intervistë, Sejdiu flet për atë se si e sheh veprimin opozitar të LDK-së, si e sheh veten e tij në LDK dhe çka mund të sjellin zhvillimet e fundit rreth prokurorit të dorëhequr, i cili po hetonte listat e fryra të veteranëve të luftës.

Kallxo.com: President, më shumë se një dekadë pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, brenda një kornize të pranuar nga pjesa dërmuese e bashkësisë ndërkombëtare, kufijtë e Kosovës janë vënë sërish në diskutim. Por për dallim nga herët e kaluara kur Kosova ishte reaktive ndaj këtyre ideve, tash në Kosovë ka proaktivitet ndaj idesë për ndryshim të kufijve. Si i keni parë ju këto zhvillime?

Fatmir Sejdiu: Nuk kam menduar asnjëherë,  asnjëherë, se do të ketë tema të cilat do të bisedoheshin me një zjarrmi kaq të madhe. Kemi këtë etapë, e cila faktikisht ka hapur dilema dhe shqetësime  të shumta te qytetarët e vendit.  Shqetësimet janë të vërejtshme  edhe tek institucione ndërkombëtare dhe vende të rëndësishme, sidomos te ato vende që kanë qenë ndihmëtare të mëdha të Kosovës në proceset e lirisë dhe pavarësisë së saj, si edhe të ndërtimit dhe zhvillimit të saj përgjatë  kësaj periudhe që ne kapërcyem deri tash.

Duhet theksuar se të gjitha çështjet rreth statusit politik të Kosovës janë mbyllur me shpalljen e pavarësisë së Kosovës më 17 Shkurt 2008, pas një procesi të bisedimeve të  udhëhequra dhe mbikqyrura ndërkombëtarisht nga i deleguari  special i OKB-së.
Me këtë  Vendim të përfaqësuesve të zgjedhur të popullit të saj, atë ditë Kosova është shpallur shtet sovran dhe i pavarur me integritetin e saj territorial të pacenueshëm, mbi bazë të të cilit Vendim , kanë pasuar të gjitha njohjet ndërkombëtare për Kosovën. Këtë Vendim e ka fuqizuar edhe më tepër Vendimi i Gjykatës Ndërkombëtare  të Drejtësisë që  konstaton se shpallja e pavarësisë së Kosovës është në përputhje me  të drejtën ndërkombëtare. Si e tillë Kosova është njohur prej shumicës së vendeve anëtare të OKB-së.

Nga ai moment historik (17 shkurti 2008), si President i vendit  në atë kohë dhe udhëheqës i bisedimeve deri në shpalljen e pavarësisë,  me bindje  gjithmonë e kam konsideruar ( sikur edhe sot) se çështjet që lidhen me statusin politik, sovranitetin dhe integritetin territoral ( që nënkupton edhe kufinjtë e vendit),  janë të mbyllura. Duhet theksuar se edhe në procesisin e bisedimeve ndërombëtare, që i kanë paraprirë shpalljës së koordinuar ndërkombëtarisht të pavarësisë së Kosovës, asnjëherë  çështja e kufijve të Kosovës nuk është hapur as diskutuar, sepse kufijtë ekzistues të Kosovës janë konsideruar të ligjshëm.

Prandaj, tema që është hapur nga Presidenti Thaçi për “korrigjimin e kufijve” siç thotë ai, që  e kemi parë të prezentuar në takimet me Vuqiqin, del të jetë e kundërt me konstruktin e integritetit territorial të Kosovës të konfirmuar me aktin e shpalljes së pavarësisë, të normuar dhe të mbrojtur me Kushtetutën e saj.  Për më tepër,  deri tani  nuk ka ndonjë përgjegje konkrete nga asnjë institucion se çka në të vërtetë nënkuptojnë këto veprime “për të korrigjuar kufijtë “.

Kushtetuta e vendit nuk lejon mundësi të tilla çfarë janë duke u debatuar pa një mandat të caktuar. Dispozitat e saj përcaktojnë qartë mandatin e secilit institucion, në këtë rast edhe të Presidentit të vendit, natyrisht edhe të Kuvendit, i cili mund të japë autorizime të caktuara për  trajtim të temave të ndryshme, sikur që janë dhënë në etapa të mëhershme.

Kallxo.com: Ka pasur reagime nga më të ndryshmet ndaj kësaj ideje. Si i keni parë ju këto reagime?

Fatmir Sejdiu: Janë reagime të shumta dhe kryesisht korrekte të palës ndërkombëtare.  Pavarësihst  se mund të ketë pasur interpretime të ndryshme të ndonjë deklarate inkurajuese për palët që të arrijnë një marrëveshje, unë mendoj se interesi  primar  i bashkësisë ndërkombëtare  është që të ruajë paqen  dhe stabilitetin në rajon, duke evituar hapjen e temave që do të kërcënonin ato.

Hapja e temave  të tilla do të të hapte edhe shumëçka tjetër. Ne e themi gjithmonë se nuk është Kosova vorbulla themelore për zhvillimet e përgjithshme rajonale dhe përtej saj, megjithatë Kosova paraqet një nga pikat më të ndjeshme të kësaj zone,  sepse deshëm apo nuk deshëm është udhëkryq i rëndësishëm gjeostrategjik edhe për pjesën e lindjes edhe për pjesën e perëndimit.

Prandaj, përvec tjerash,  nuk duhet të  rrezikohet edhe  pjesa e investimit ndërkombëtar që është bërë për të krijuar një kornizë, një format të qëndrueshmërisë, të një vendi sovran.

Kuir jemi tek qëndrimet dhe reagimet e faktorit ndërkombëtar  dua të ritheksioj se   si Presdient i vendit  unë i kam kam pranuar njohjet ndërkombëtare nga SHBA, nga Gjermania, nga  Mbretëria e Bashkuar, Franca, Italia dhe nga vende të  tjera dhe secila në njohjet e tyre potencon se e njohin shtetin e Kosovës si shtet sovran dhe brenda kufijve të saj.

KALLXO.com: Ditëve të fundit është nxjerrë nga arkivat një deklaratë e vitit 1994 e Presidentit Ibrahim Rugova rreth një ideje të shkëmbimit të territoreve mes Kosovës dhe Serbisë. Keni qenë bashkëpunëtor i Presidentit Rugova në ato kohë dhe a ju kujtohet ajo deklaratë, cili ka qenë qëndrimi i vetë Rugovës për këtë çështje?

Fatmir Sejdiu: Unë nuk e kujtoj një deklaratë të Presidentit Rugova si të tillë. Presidenti  Rugova nuk ka pasur asnjëherë një qasje të shkëmbimit të territoreve, për arsye të interesave strategjike të Kosovës.  Unë e di qëndrimin e Presidentit Rugova gjithmonë: një qëndrim parimor dhe konsekuent që ka qenë i ndërtuar që nga deklarimet e para të tij, edhe pa e marrë postin e Kryetarit të LDK-së dhe postin e Presidentit të Kosovës, i  zgjedhur në maj të vitit 1992. Pashë edhe reagimet e gazetarëve që kanë biseduar me të dhe që e përmendin edhe demantin e asaj deklarate. Nuk dua të komentoj lidhur me këtë, por e di qëndrimin esencial të Presidentit Rugova  për Kosovën shtet të pavarur dhe sovran, vizion ky i cili është zhvilluar dhe realizuar.  Ne e kemi çmuar atë formulën e mëhershme që Presidenti Rugova e ka pasur “një Kosovë e pavarur e neutrale, e hapur ndaj Shqipërisë e Serbisë” që nënkupton një Kosovë moderne në lirinë e qytetarëve të saj. Këto parime janë të mishëruara edhe në Kushtetutën e sotme të Republikës së Kosovës.

Kallxo.com: Si të lexohet deklarata e Këshilltarit të Presidentit Trump, z. John Bolton?

Fatmir Sejdiu:  Unë mendoj se ajo mund të jetë një deklaratë që në njëfarë mënyre i inkurajon palët për të parë se çka do të bëjnë, por është e vështirë, absolutisht është e pamundshme duke  e njohur qasjen e vazhdueshme të Serbisë ndaj pavarësisë së  Kosovës dhe lirisë së shqiptarëve.  Ne e dimë cili është roli i Serbisë.  Ajo vazhdimisht ka zhagitur  proceset e  ndryshme negociatore, përfshirë edhe këtë të fundit  në nivel të dialogut të ndërmjetësuar në Bruksel,  për të cilin unë kam pasur rezerva dhe i kam edhe sot për mënyrën se si është iniciuar, për temat e shtruara dhe mënyrën si janë trajtuar, për nivelin me të cilin ky dialog është zhvilluar.

Mendoj  se pavarësisht interpretimit  të deklaratave të zyrtarëve të ndryshëm, që  nganjëherë mund të krijojnë shqetësime të momentit, vendet kryesore  mbështetëse të pavarësisë së Kosovës, nuk i kanë ndërruar politikat esenciale për Kosovën dhe mbështetjen e saj.

Kallxo.com: Si do të duhej të zhvillohej dialogu?

Fatmir Sejdiu: Do të duhej të zhvillohej në një nivel jashtëzakonisht të saktësuar mirë, në kuptimin e e përshtatjes me temat.  Ideja ka qenë që ky do të jetë një dialog për relaksim të marrëdhënieve midis dy shteteve sovrane, për ulje të tensioneve, për çështje teknike të cilat kanë të bëjnë me qarkullimin e lirë të qytetarëve, parandalimin e krimit të organizuar, njohjen e diplomave e tema të ngjashme dhe jo kështu siç ka ndodhur,  që nga ky rrafsh të ndryshojnë edhe temat  dhe  gradualisht të ngritet niveli i tij. Është nisur nga dialogu në nivel teknik të zyrtarëve  dhe gradualisht është  kapërcyer  deri në nivel të kryeministrave e Presidentëve të vendeve –  duke ngritur tema  të cilat realisht Serbia  ka dashur  të bisedohen, duke dashur të komprometojë të gjitha rezultatet e proceseve të  mëhershme, që kanë përfunduar me pavarësimin e Kosovës .

Kjo qasje ka ndikuar negativisht në progresin e vendit tonë, sepse kështu Kosova ka hyrë në një situatë të trysnisë së vazhdueshme sic është cështja e hezitimeve për integrim të komunitetit pakicë serb në ver, si dhe  ka ndikuar negativisht në shtimin e njohjeve për Kosovën dhe anëtarësimin e saj në organizata ndërkombëtare. Dhe  së fundi, që është shumë e rëndësishme, dhënia e shansit  Rusisë në involvimin e saj në proceset e Europës Juglindore. Tash Rusia paraqitet si një e interesuar e vazhdueshme, me një këmbëngulje shumë të madhe, në vendet në të cilat ajo e ka ndikimin e vet, në amortizimin e mbështetjes për Kosovën, si dhe me një tendencë të re  për të avansuar rolin e saj në këtë pjesë të Evropës.   Kemi parasysh koncentrimin rus në bazën e Nishit, një qytet që është rreth 100 kilometra afër Prishtinës …

Kosova  i përket Perëndimit dhe është nga vijat më të rëndësishme gjeostrategjike të tij. Prandaj janë bërë edhe  investime strategjike të botës perëndimore dhe të  NATO-s. E gjithë kjo  nga populli i Koosvës konsiderohet si mbrojtje e tij,  si dhe garanci për paqen dhe stabilitetin e qëndrueshëm në rajon.

Kallxo.com: Ju i kemi drejtuar bisedimet e Vjenës për statusin e Kosovës në vitet 2006- 2007. A ka pasur ndonjë pretendim të ndonjë pale në këto bisedime që të bisedohet për kufijtë e Kosovës dhe Serbisë?

Fatmir Sejdiu:  Sic e thashë edhe më parë, çështja e kufijve nuk është shtruar asnjëherë. Asnjëherë.  Madje çështja e kufijve nuk është shtruar asnjëherë as nga vet pala serbe, e përfaqësuar në nivelet më të larta shtetërore.

E vetmja çështje adresuar  edhe në Propozimin Gjithpërfshirës të Ahtisaarit  ka qenë cështja e përcaktimit të kufirit me Maqedoninë (zona e  Debëlldesë),  e cila është konsideruar çështje e  kryer sipas Traktatit  të lidhur midis ish  Jugosllavisë Federale  dhe  IRJM (Maqedonisë).

Siç e ka theksuar Presidenti Ahtisaari, Kosova është sui generis me historinë dhe hapësirën e saj, një diçka që dallon prej të tjerëve dhe kjo sui generis e ka bërë atë që ta nxjerrë qëndrimin se Kosova duhet të jetë e pavarur, natyrisht me një periudhë të mbikëqyrjes ndërkombëtare e cila ka ndodhur dhe është kapërcyer.

Kallxo.com: Duket se ideja e Presidentit Thaçi e ka kapur në befasi opozitën në Kosovë. Dua t’ju pyes si ish- kryetar i LDK-së, parti që tani është në opozitë. Krerët e saj kanë qëndrime të ndryshme, disa heshtin e një nënkryetar, Lutfi Haziri, e mbështet këtë ide.

Fatmir Sejdiu: Ideja e Presidentit Thaçi ka marrë reagime të ndryshme edhe  nga partia të cilën ai e ka drejtuar më parë.

Sa i përket LDK –së, të cilës i përkas unë, mendoj se qëndrimi i saj duhet të jetë qëndrim i konsekuencës politike që e ka prej themelimit. Sepse deshëm apo s’deshëm, unë nuk dua të debatoj projektet politike të subjekteve tjera, por projekti nacional dhe më progresist i kohës është projekti i LDK-së për shtetin e lirë, të pavarur dhe demokratik të Kosovës. Ky projekt  përmban pikat më të rëndësishme që tangojnë interesat nacionale edhe të shqiptarëve si shumicë, por edhe të trajtimit të pakicave në një shtet modern.

Askush askujt nuk mund t’ia ndalojë të flasë,  por  një cështje e rëndësishme si kjo LDK duhet të trajtohet  sa më parë në organet më të larta partiake për të nxjerrë qëndrime të qarta dhe të pjekura  të cilat pastaj do të duhej të respektohen e zbatohen nga të gjithë zyrtarët e saj.

LDK duhet të ketë parasysh se qytetarët i përcjellin këto dhe nuk mjafton që tash të flasim “e ka thënë Presidenti Rugova këtë apo atë”. E ka thënë, por cila është pjesa e konsekuencës? Në këto zhvillime nuk lejohen disonancat. Unë nuk flas për egërsi qëndrimesh, për skema dogmatike, por them megjithatë se një formulë e cila e lidh spektrin e  brendshëm në filozofinë e saj, është shumë e nevojshme.
Këtë qartësim të qëndrimeve  të LDK-së e kërkon  anëtarësia e saj,  por  edhe qytetarët e vendit .

Kallxo.com: Përveç mbledhjeve të kryesisë dhe atyre me kryetarët e degëve, nuk kemi parë që LDK të mblidhet dhe të diskutojë me forumet tjera më të larta, Këshilli i Përgjithshëm e Kuvendi…

Fatmir Sejdiu: Ka një atak të drejtpërdrejtë në identitetin dhe mendimin e LDK-së dhe për tema kaq të mëdha është tepër e rëndësishme që të thirren forumet më të larta të partisë. Është Këshilli i Përgjithshëm, nëse Kuvendi nuk mund të mblidhet. Këshilli i Përgjithshëm është forumi më i lartë mes dy kuvendeve dhe ai duhet ta japë qëndrimin e vet.

LDK ka potencial, ka strukturë, ka njerëz shtesë që mund ta ndihmojnë për ta dhënë formulën e saj se si mund ta ndihmojë Kosovën në këtë periudhë, sepse është partia më e madhe jo vetëm  opozitare dhe është përgjegjëse për hapat që mund të vijnë më vonë.

Kallxo.com: A jeni takuar me kryetarin e LDK-së, z. Isa Mustafa?

Fatmir Sejdiu: E kam takuar z. Mustafa para tri- katër javësh dhe ndër të tjera kemi folur edhe për situatën në të cilën gjendemi  dhe sfidat para nesh, për të cilat nevojitet një mobilizim i përgjithshëm dhe bashkëpunim i të gjithëve  në LDK.

Kallxo.com: Kur thoni “të gjithëve”, e llogarisni edhe veten në këtë?

Fatmir Sejdiu: Natyrisht, të gjithë njerëzit që LDK i ka në potencialin e saj duhet t’i mbledhë, t’i konsultojë dhe të shohim si t’ia bëjmë në veprimet e mëtejmë për të mirën e Kosovës.

Nuk them asnjëherë që  të bëhen kapërcime të asaj pjesës statutare, por megjithatë politikat nuk ndalen vetëm në kornizim e formë, sepse një parti duhet të jetojë me të  gjithë anëtarësinë dhe mbështetësit e saj. LDK duhet të komunikojë në  nivele të ndryshme që të shohim se çka mund të jetë oferta e LDK-së për Kosovën dhe qytetarët e Kosovës.

Kallxo.com: Në aspektin e politikës së brendshme, si e vlerësoni opozitën që po e bën LDK deri tash, sidomos në Kuvend?

Fatmir Sejdiu: Duket se sikur nuk e ka gjetur veten sa dhe si duhet. LDK, edhe me këtë strukturë që ka, mund të bëjë dhe ka forca të bëjë më shumë punë, të ketë një sjellje mbi bazë të një platforme të qartë dhe përmbajtësore.   Jo në atë pjesën, siç e gjejmë nganjëherë, të individëve dhe të asaj se kush duhet të shihet në ekran. Nuk dua të marr shembuj të të tillëve, por them se LDK duhet të zhvillojë  qëndrimet dhe të  dinamizojë  politikat dhe veprimet e saj. Pavarësisht funksionit si opozitë, LDK është përgjegjëse për shkak të fuqisë përfaqësuese të saj dhe obligimeve  ndaj elektorat jashtëzakonisht i përgatitur të saj dhe të qytetarëve të vendit.

Mos të harrojmë se njerëzit tash kanë filluar të shohin ndryshe: ku ishim dje, cilat kanë qenë premtimet dhe çka është realizuar, cili është pozicioni që ne e kemi sot. Kjo quhet pjekuri politike e qytetarëve.

Kallxo.com: Në Kuvendin e kaluar të LDK-së, keni shkuar, keni folur se çka mendoni për partinë por nuk kandiduat për kryetar. Kuvendi i ardhshëm i LDK-së pritet të mbahet vitin e ardhshëm. A e keni menduar qëndrimin tuaj, a do të kandidoni për ta drejtuar LDK-në?

Fatmur Sejdiu: Kjo nuk është temë me të cilën dua të merrem, por edhe atëherë edhe sot jam gjithmonë në qëndrimin dhe gatishmërinë  time  që të jap maksimumin për LDK-në, me gjithë dijen, energjinë dhe përvojën time.

Kallxo.com: Qoftë edhe si Kryetar…

Fatmir Sejdiu: Nuk kam çka të shtoj nga ajo që thashë më sipër sa i përket qëndrimit dhe angazhimit tim në LDK. Por, krahas kësaj është e rëndësishme të  mendohet për projektimin e zhvillimit të  mëtejmë të  LDK-së  dhe  përtrirjen  e saj  në një transmision normal të gjeneratave me theks në ruajtjen e  identitetit të saj.

Kallxo.com: Si i shihni këto zhvillimet e fundit që u nxitën nga dorëheqja e prokurorit special në rastin e veteranëve. Ka pasur akuza për ndërhyrje politike në hetime he më vonë ka pasur deklarata të politikanëve, si ajo e kryeministrit Ramush Haradinaj, për punën e prokurorit?

Fatmir Sejdiu: Njerëzit duhet ta kuptojnë se pushtetet janë të ndara. Duhet respektuar parimet mbi të cilat ndërtohet një shtet demokratik, një shoqëri demokratike. Kosova nuk mund të marrë notë pozitive nga ata që duan realisht ta vlerësojnë punën e saj, nëse do të kemi cingërrime telefonash apo ndërhyrje të politikës në gjyqësor apo anasjelltas, sepse hallkat dihen. Një prokuror, një gjyqtar, duhet të jenë sovranë në punën e tyre. Unë nuk di realisht se cila është e vërteta e plotë, por një diçka që e thonë të gjithë është fryrja e madhe e numrit të njerëzve që janë shpallur  gjoja si pjesëmarrës në luftën e armatosur, që natyrisht  ka për pasojë  një dëmtim enorm i buxhetit të shtetit, të kontributit të taksapaguesve të Kosovës.

Është njësoj si kur e fut dorën në xhep të tjetrit. Kjo mund të jetë edhe më e keqe, sepse me nënshkrimin e zyrave të shtetit jepen para të cilat njerëzit nuk i meritojnë. Prandaj kjo punë duhet të spastrohet. Deshëm aponuk deshëm k jo do ta dëmtojë shumë imazhin tonë. Ka edhe tema tjera që janë të ndërlidhura me këtë natyrë të ndërhyrjes në pushtete, andaj duhet të kihet kujdes që fenomene të tilla të ndërpriten njëherë e përgjithmonë. Kjo në fakt do të jetë kontributi më i mirë në funksionimin e shtetit ligjor dhe demokracisë në vendin tonë. Dhe kjo arrihet nëse secili nga ushtruesit e përgjegjësive në pushtett e ndara  përmbushë detyrat dhe obligimet e veta kushtetuese dhe ligjore./Kallxo.com

 

SHKARKO APP