Joe Biden i shkruan letër Vjosa Osmanit për dialogun me Serbinë

Presidenti i SHBA-së, Joe Biden i ka shkruar një letër homologes së tij në Kosovë, Vjosa Osmani. Biden në mënyrë të qartë i ofron mbështetje Osmanit për dialogun me Serbinë, teksa thekson se marrëveshja gjithëpërfshirëse përfundimtare të bazohet tek njohja reciproke. Po ashtu Biden zotohet se i përgjigjet pozitivisht kërkesës së Osmanit që SHBA të ndihmojë me vaksina ndaj Covid-19 edhe Kosovën e cila ka probleme në këtë drejtim.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden, e ka uruar Osmanin në emër të popullit amerikan për zgjedhjen në krye të shtetit. Presidenti Biden ka përmendur marrëdhëniet e mira ndërmjet të dy shteteve dhe partneritetin e gjatë të rrënjosur në vlerat e përbashkëta, duke përmendur edhe raportin personal të familjes Biden me Kosovën. Në këtë kontekst, Presidenti amerikan ka përmendur të birin e tij Beau, i cili ka shërbyer në Kosovën në kuadër të forcave paqeruajtëse amerikane, siç thuhet në letër për “avancimin e paqes, si dhe sundimit të rendit e ligjit”.

Më tej në letër, Presidenti Biden ka theksuar se do të punojë me Presidenten Osmani në prioritetet që kanë të bëjnë me forcimin e sundimit të ligjit, luftën kundër korrupsionit, mbrojtjen e të drejtave të pakicave dhe bashkësive fetare, rimëkëmbjen nga pasojat e pandemisë Covid-19, zhvillimin ekonomik si dhe sigurimin e të ardhmes së qëndrueshme energjetike. Presidenti Biden i është përgjigjur edhe kërkesës së Presidentes Osmani që SHBA-të të ndihmojnë me vaksina, bazuar në letrën e saj të 19 marsit. Presidenti Biden ka potencuar se me shtimin e sasisë së vaksinave, SHBA-të do të punojnë me partnerët për shpërndarjen e tyre dhe se ekipi i tij do të jetë ne kontakt me Presidenten Osmani për realizimin e synimit të tillë.

Swiss Digital Desktop Reklama

Në letrën e Presidentit Biden theksohet, gjithashtu se ShBA-të, mbështet vazhdimin e dialogut me Serbinë. “ShBA-të do të vazhdojnë t`i mbështesin përpjekjet për sigurimin e paqes së qëndrueshme dhe dialogut produktiv ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe përfundimisht marrëveshjes gjithëpërfshirëse për normalizim, e cila besojmë se do të duhej të përqendrohej në njohjen reciproke.

Swiss Digital Mobile Reklama

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

Kush mendoni se duhet të jetë në emër të PD dhe opozitës kandidat për kryebashkiak në Tiranë?