Këshilla politike pa para

Këto janë zgjedhjet e para në Kosovë, të cilat do të mund të përcaktohen prej grupmoshës që në Perëndim po njihet si Milienialët. Kjo për shkak se i takojnë gjeneratës që është formësuar kulturalisht, shoqërisht dhe politikisht, pak para kalimit prej një milieniumi, në një tjetër, prej shekullit 20 në atë 21. Të tillët kanë lindur në harkun kohor 1980 – 1999.

Nga Berat Buzhala

Stefan Zweig, në librin e tij “Bota e së djeshmes”, tregon se si Evropa kishte ndryshuar radikalisht kur kishte kaluar prej shekullit të 19’të në atë të 20’të. Prej një periudhe relativisht të qetë dhe paluftëra, kontinenti ishte futur në një kaos të vërtetë, me dy luftëra botërore. Por përveç kësaj, ai tregon se si prej një Vjene konzervative, ku gratë nuk shfaqnin asgjë prej bukurisë së tyre, kur ato mbulonin me kujdes hiret e tyre, kishte kaluar në një Vjenë me nënkultura, në një Vjenë përplot dallime. Ndryshimet të jashtëzakonshme ishin shfaqur edhe në politikë, posaçërisht në botën gjermane. Po supozoj që e dini se çfarë ndodhi atje, me rritjen e nazizmit.

Dhe kjo gjë, thotë Zweig, ndodhi në mënyrë të pakuptimtë. Ndonëse ishin shumë afër, vetëm 20 vite dallim, viti 1890 dallonte sikur nata me ditë, me vitin 1910. Dukej sikur njerëzit po e pritnin kalendarin për ta shfaqur revoltën e tyre. Këtë revoltë nuk donin ta bënin në vitin 1899, por në vitin 1901.

—–

Këto janë zgjedhjet e para në Kosovë, të cilat do të mund të përcaktohen prej grupmoshës që në Perëndim po njihet si Milienialët. Kjo për shkak se i takojnë gjeneratës që është formësuar kulturalisht, shoqërisht dhe politikisht, pak para kalimit prej një milieniumi, në një tjetër, prej shekullit 20 në atë 21. Të tillët kanë lindur në harkun kohor 1980 – 1999.

Nëse flasim në terma teknik, kalimi prej një viti në një vit tjetër, nuk do të duhej të kishte kurrfarë peshe reale. Askush nuk pret që në ditën e parë të vitit të ri, qoftë edhe nëse ajo e ndryshon një shekull, do të ndodhë ndonjë hata. Kjo do të duhej të ishte punë e kalendarit. Por nuk është kaq e thjeshtë, sa duket. E posaçërisht kur i kemi në mendje zhvillimet dramatike në fushën e teknologjisë dhe rrjeteve sociale. Të rinjtë janë formësuar në rrugë të tjera, prej çfarë jemi formësuar ne. Referencat kulturore të tyre janë jokonvencionale, sipas standardeve që ne i njohim.

Nuk po flasim për dallime në nuanca. Ajo çfarë për ne ishte e bardhë, tash mund të jetë e zezë. E çfarë është edhe më tronditëse, edhe ndoshta është e zezë. Ajo çfarë dhëmb më së shumti, ndoshta këta e kanë mirë, e ne kemi keq. Ende nuk është e qartë se cila palë do të dorëzohet e para, sepse njëra do ta bëjë këtë. Nëse e kemi parasysh biologjinë, i bie që ne e kemi humbjen e garantuar. Këta do të bëhen shumicë, e ne do të pakësohemi. Nëse nuk e marrim pak më sportivitet këtë ndryshim, ka mundësi që edhe do të çmendemi. Po flasim për ndryshim apokaliptik. Vlerat në të cilat ne kemi besuar, ka mundësi të zhdukën. Çfarë është edhe më keq, mund të na thuhet se ato as që ekzistojnë. Është sikur të diskutosh me dikënd për një ndërtesë, e të mos pajtohesh për vlerat arkitektonike. Polemika mund të jetë e ashpër, deri në konflikt fizik. Por çfarë ndodh nëse vjen dikush e të thotë që ai objekt nuk ekziston fare, se kjo ka qenë vetëm një iluzion optik. Atëherë konsulta me psikiatrin është opcioni më real.

Këtë mund ta ilustroj edhe në mënyrë shumë më konkrete. Unë kam lindur në vitin 1975, kurse baba im në vitin 1948. Rreth 30 vjet dallim. Kemi pasur, kemi edhe më tutje, dallime dramatike. Shije të ndryshme për muzikë, për filma, për libra, për shkrimtarë, për politikanë etj. Mirëpo, megjithatë kemi jetuar brenda të njëjtit sistem diellor. Rregullat kanë qenë të njëjta. Loja ka qenë e njëjtë. Nuk mund ta them të njëjtën gjë, për raportet e tashme më vajzat e mia, me të cilat dallimi në moshë është i njëjtë me dallimin tim me babën. Edhe pse po përpiqem me të gjitha fuqitë që të adoptohem me secilën risi, po bëj përpjekje sfilitëse që të mos më ikë asgjë, por prapë, duket e pamundur që qenit të vjetër t’i mësohen taktika të reja – në këtë kohë. Mirëpo ajo çfarë unë e kuptoj është se nuk po funksionojmë brenda të njëjtit sistem diellor. E lajmi i keq është që unë/ne duhet ta ndërroj/më sistemin diellor, ndoshta universin. Këta nuk e kanë ndërmend.

Çfarë duhet të bëjmë tash?

 Vetëvrasja nuk është opcion, e as dorëzimi. Janë fëmijët tanë. As nuk duhet të na shkojë ndërmend që t’u hakmerremi, duke i lënë që të gabojnë. Mënyra e vetme për të fituar këtë betejë, është duke e pranuar fillimisht humbjen. Duke e pasur përvojën me vete, duhet të fillojmë të garojmë sipas rregullave të tyre, për t’i mundur në territorin e tyre. If you can’t beat them – join them. Nëse nuk mund t’i mundësh ata, bashkoju atyre. Pastaj, duke bashkëpunuar përpiqu të fitosh luftën.

Siç edhe e kemi parë, bota, saktësisht për shkak të kësaj situate, e posaçërisht hemisfera Perëndimore e Tokës, është futur nëpër territore të pashkelura politike. Mirëpo, siç edhe e kemi parë, ndonëse lëvizjet janë shokuese, ndonëse motor i gjithë këtyre ndryshimeve janë të rinjtë, ata edhe më tutje vazhdojnë të qëndrojnë të ulur në ulëset e prapme. Entuziazmi i tyre, ose është keqpërdorur, si në SHBA dhe Britani të Madhe, ose është përdorur në mënyrën e duhur si në Francë dhe Holandë. Manipulimi i tyre është shumë i lehtë. Me përvojë, me pak përpjekje, me shumë sondazhe, mashtruesit kanë arritur që energjinë, kokëfortësinë, entuziazmin ta keqpërdorin. Pak mish të kuq, pak muzikë të mirë për vesh, dhe rezultatet janë fantastike.

T’i marrim zgjedhjet në SHBA si shembull. Në garë ishin një kandidate monotone, pa kauzë, sigurisht me zemrën në vendin e duhur, si Hillary Clinton, kundër një mashtruesi par excellence, që kishte kauzë, si Donald Trump. Ky arriti që të apelonte në mënyrë shumë më mobilizuese dhe domethënëse te rinia, te milenialët, të cilët me çdo kusht kërkojnë që gjërat të ndryshojnë. Hillary premtonte status quo dhe qetësi. Trump, në anën tjetër, apelonte për përmbysje dhe revolucion. Fitoi i dytë, sepse status quo’ja nuk është kauzë. Kjo gjë nuk do të kishte ndodhur po të kishte qenë pjesë e betejës Bernie Sanders.

Në anën tjetër, e patëm Francën, ku u dëshmua e kundërta. Marin Le Pen u çarmatos në gjysmë të rrugës. Kundërshtari i saj as nuk u frikësua e as nuk u fut në defansivë. Nuk kërkoi që të vazhdonte normaliteti. Ishte po aq revolucionar, po aq me pasion, sa edhe ajo. Çfarë bëri Macron ishte e mrekullueshme. E pranoi pa humbur koha që politika ‘business as usual’ kishte dështuar, dhe se duhej ndryshim i madh. Por jo ndryshim në drejtimin e gabuar, por në drejtimin e duhur. E rëndësishme ishte që ai fliste për revolucion, sepse ajo çfarë ishte, nuk ishte gjëja e duhur. Milenialët janë në gjendje t’i shkaktojnë vetës plagë të rënda, vetëm që të ndryshohet gjendja. Për mirë apo për keq. Dhe ky është momenti për ta përdorur përvojën, duke thënë qe ju e keni mirë, ne e kemi keq. Duke e përkëdhelur sedrën e tyre.

Është tepër e rëndësishme se kush do ta bëjë këtë i pari. Në disa raste përdorët për të mirë, në disa për të keq. Është e njëjta rini, i njëjti pasion. Vetëm ndryshon vozitësi, sepse milenialët edhe më tutje nuk kanë lider të tyre.

——

Nuk mund ta themi me bindje të plotë se edhe në Kosovë do të ndodhë e njëjta gjë, në këto zgjedhje. Ajo çfarë e dimë është se në Prishtinë, në zgjedhjet lokale, i kemi parë simptomat e para, kur u shemb Isa Mustafën nga pushteti, për t’u instaluar aty Shpendin.

A ishte kjo gjëja e duhur? Ju, nëse edhe më tutje po më lexoni, i dini qëndrimet e mia. Agjentët e ndryshimeve radikale, profetët e rrejshëm, unë i urrej më shumë se çdo gjë tjetër në jetë. Mirëpo, jam i vetëdijshëm për fuqinë e tyre. Nëse një stuhi e tillë niset, atëherë më mirë hape krahun.

Të konstatosh gabimin, është pothuajse e kotë. Lufta fitohet me kundër narracion. Rrëfimet e lavdishme nga e kaluara nuk kanë asnjë peshë elektorale për ata që kanë lindur gjatë viteve të 90’ta, e që nuk e kanë asnjë kujtesë për kalvarin tonë. Madje, këto rrëfime, prodhojnë efekt të kundërt. Është pak a shumë situata e njëjtë, kur prindi ta tregon për të kushedisatën herë të njëjtin tregim. “Prapë ky”, është reagimi i parë. Derisa ai vazhdon të tregon për heroizmat, ti sytë i ke te dera, duke provuar që ta shfrytëzosh secilën frymëmarrje të tij për t’u larguar.

gazetaexpress.com

SHKARKO APP