Këshilltari i Kurtit: Për Ramën ka më shumë rëndësi Thaçi se marrëdhëniet Shqipëri-Kosovë

Kryeministri Edi Rama  pritet të zhvillojë një sërë takimesh me përfaqësues të lartë të politikës në Kosovë, në një vizitë dyditore.

Sipas Ramës, motivi i kësaj vizite është për të mësuar më shumë pas aktakuzave të ngritura ndaj presidentit Hashim Tahçi dhe kreu të PDK-së, Kadri Veseli, ish luftëtarë të UÇK-së nga Zyra e Prokurorit të Specializuar, tri ditë para takimit Kosove-Serbi në Washington.

Rama pritet të takohet sot dhe nesër me presidentin Hashim Thaçi, me kryeministrin Avdullah Hoti, me kryeparlamentaren Vjosa Osmani, me kryetarin e PDK-së, Kadri Veseli me kryetarin e Nismës, Fatmir Limaj, por edhe me ish kryeministrin Albin Kurti, e konfirmuar nga zëdhënësi i Lëvizjes Vetëvendosje, Përparim Kryeziu.

“Takimi do të mbahet sot në orën 17:00, në zyrat e Lëvizjes Vetëvendosje”, tha Kryeziu për mediat në Kosovë.

Ndërkohë, këshilltari i Kurtit, Elvis Hoxha ka ironizuar vizitën e Ramës duke thënë se po viziton Kosovën që t’i dalë në mbrojtje presidentit të vendit, Hashim Thaçit pas njoftimit nga Specialja.

“Takimi me kryeministrin Albin Kurti për marrëveshjet mes qeverive shqiptare iu duk Ramës një spektakël i kotë, por nuk përtoi të niset për pelegrinazh në Kosovë në mbrojtje të Thaçit. Për kryeministrin Rama më shumë ka rëndësi Thaçi se marrëdhëniet mes sy shteteve shqiptarë”, shkruan në rrjetet sociale Hoxha.

Ndërkohë, gjatë kësaj vizite mësohet se Rama nuk do takohet me kreun e LDK, Isa Mustafa dhe ish-kryeministri Ramush Haradinaj.

SHKARKO APP