Konjufca shkon për ngushëllim te familja Thaçi

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca është i vetmi që ka shkuar për të bërë ngushëllime pranë familjes së ish-Presidentit Hashim Thaçi, pas ndarjes nga jeta të babait të tij, Haxhi Thaçi.

Konjufca u fotografua në Burajë duke lënë edhe një shënim në librin e zisë. Ai u shpreh se Haxhi Thaçi si atdhetar pati ndikim të madh në formimin e jetës dhe karrierës së presidentit Hashim Thaçi, i cili luajti një rol kryesor në shpalljen e pavarësisë së Kosovës.

“Bacin Haxhi të gjithë e kemi njohur si një patriot të madh e plak të urtë i cili e ka frymëzuar shumë thellë edhe familjen e vet, edhe farefisin edhe këtë pjesë të Drenicës. Mbi të gjitha e ka frymëzuar me patriotizëm djalin e tij Hashim Thaçin i cili ishte president i Republikës së Kosovës, por edhe njëri prej bartësve shumë të rëndësishëm për të cilat kemi kaluar”, është shprehur Konjufca.

Konjufca nuk la pa përmendur as rolin e Hashim Thaçit në periudhën e vështirë të vitit 1990, në luftën për liri dhe betejën për drejtësi, që ai dhe 3 ish-komandantët e tjerë të UÇK po zhvillojnë sot në Hagë.

SHKARKO APP