Konstituohet Kuvendi, PDK kërkon zgjedhje

Nenad Rashiç është zgjedhur nënkryetar i Kuvendit të Kosovës nga radhët e komunitetit serb. Me 71 vota pro nga Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës, Rashiç bëhet nënkryetari i pestë dhe i fundit, duke e konstituuar Kuvendin pas gjashtë muajsh nga fillimi i seancës. Lista Serbe si grupi më i madh parlamentar nga komuniteti serb, propozoi 9 deputetët e saj. Të gjithë iu nënshtruan nga tre raunde votimi, por asnjëri nuk mori më shumë se 9 vota pro.

Në fund, meqë Lista Serbe nuk dëshiroi të propozonte Nenad Rashiç, si deputeti i vetëm serb që nuk iu nënshtrua votimit, kryeparlamentari Dimal Basha aktivizoi mekanizmin e dytë, që është ai i shortit. Por, duke qenë vetëm një kandidat, atëherë emri i Rashiq u hodh në votim menjëherë. Lista Serbe votoi kundër, ndërsa Partia Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës abstenuan. Përfaqësuesit e Listës Serbe thanë se Kuvendi nuk është i konstituuar dhe lanë të hapur mundësinë për t’iu drejtuar sërish Gjykatës Kushtetuese.

“Edhe një herë u dëshmua se drejtësia dhe e drejta nuk ekzistojnë. Sot nuk është përfunduar konstituimi i seancës së Kuvendit dhe mos lejoni të ju gënjejnë. Fituesi i zgjedhjeve nga komuniteti serb duhet të ketë të drejtën ekskluzive për të propozuar nënkryetarin e Kuvendit për komunitetin serb. Është shkelur aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese, si edhe Kushtetuta dhe Rregullorja e Kuvendit”, tha Igor Simiç. Partia Demokratike e Kosovës kërkoi zgjedhje të jashtëzakonshme sa më shpejt të jetë e mundur, ndërsa edhe LDK tha se do të votonte për shpërndarjen e Kuvendit.

Swiss Digital Desktop Reklama

“Duke ditur se asnjëra palë nuk e ka shumicën parlamentare, besoj se ajo çka është më e rëndësishme është të gjejmë mekanizmin që na çon në zgjedhje të parakohshme sa më parë dhe pa vonesa. Shpresoj që të ketë racionalitet mes palëve për të arritur një dakordim të tillë, por kjo mbetet të shihet në ditët në vijim”, tha Memli Krasniqi.

Swiss Digital Mobile Reklama

“Se a do të ketë qeveri, kjo nuk varet prej nesh. E kemi thënë që nga fillimi se varet prej partisë së parë. Ne nuk i kemi pasur numrat asnjëherë. Sikur të kishte varur prej nesh, do të kishim qeveri shumë kohë më parë. Dhe në qoftë se nuk do të formohet qeveria, natyrisht që votat e Lidhjes Demokratike të Kosovës do të jenë për shpërbërje të Kuvendit, sepse nuk mund të mbajmë peng institucionet”, tha Hykmete Bajrami nga LDK.

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

Pas vendimit të gjykatës kushtetuese a duhet liruar Erion Veliaj dhe të gjykohet në gjëndje të lirë?