Kosova dhe Serbia me fushatë për përkrahjen e Katarit

Ministrja në detyrë e Punëve të Jashtme të Kosovës, Meliza Haradinaj-Stublla, tha se ka marrë konfirmimin e ambasadorit jo-rezident të Katarit në Kosovë, Ali Bin Hamad al-Marri, se Doha nuk ka ndryshuar qëndrim për Kosovën dhe do të vazhdojë mbështetjen. Takimi mes tyre është zhvilluar të martën në Tiranë të Shqipërisë. Katari e ka njohur pavarësinë e Kosovës në janar të vitit 2011. Në ditët e fundit, ky vend është shndërruar në një temë përplasjesh mes Kosovës dhe Serbisë.

Kjo, pasi më 8 janar, ministri i Jashtëm i Serbisë, Nikolla Selakoviq, tha se i ka kërkuar ambasadorit të Katarit në Serbi, Mubarak bin Fahad Al-Thani, që ky vend “të përmbahet nga lobimi aktiv ndërkombëtar në favor të Prishtinës”, për t’i dhënë mundësi dialogut dhe arritjes së një marrëveshjeje (Kosovë-Serbi). Ndaj kësaj deklarate reagoi ministrja në detyrë, Haradinaj-Stublla, e cila tha se kërkesa e Selakoviqit për Katarin shkel zotimin e 15-të të Marrëveshjes së Uashingtonit.

Më 4 shtator, Kosova dhe Serbia kanë nënshkruar në Shtëpinë e Bardhë në Uashington, dy dokumente për normalizimin e raporteve ekonomike, në prezencë të presidentit amerikan, Donald Trump. Kosova, sipas marrëveshjes, është pajtuar që brenda një viti të mos kërkojë anëtarësim në organizata ndërkombëtare. Serbia, në anën tjetër, është pajtuar po ashtu që brenda një viti të ndalë fushatën për çnjohjen e pavarësisë së Kosovës.

Prishtina dhe Beogradi janë zotuar se do të zbatojnë këtë marrëveshje pavarësisht ndryshimit të administratës amerikane. Më 20 janar, demokrati, Joe Biden, do të inaugurohet si president i Shteteve të Bashkuara.

SHKARKO APP