Kosova dhe Serbia përkujtojnë 22 vjetorin e bombardimeve të NATO-s, Kurti: Drejtësia për këtë krim të Serbisë nuk është vënë në vend
Kosova dhe Serbia përkujtuan 22-vjetorin e nisjes së sulmeve ajrore nga NATO-ja.
Bombat e para u lëshuan më 24 mars 1999 në pozicionet strategjike të ushtrisë jugosllave, me urdhër të presidentit amerikan, Bill Clinton.
78 ditë më vonë, pas më shumë se 1,200 të vrarëve në territorin jugosllav dhe mbi 10 mijë të plagosurve, presidenti Slobodan Milosheviç pranoi kapitullimin dhe tërheqjen nga Kosova.
Kryeministri i ri, Albin Kurti, dhe kabineti qeveritar, bënë homazhet të mërkurën në kompleksin memorial “Adem Jashari” në Prekaz.
Kurti tha se Serbia ende nuk e ka shlyer dëmin e gjenocidit ndaj shqiptarëve të asaj kohe.
“Gjaku i tyre nuk humbet kurrë, emri i tyre nuk harrohet kurrë dhe ne kthehemi e rikthehemi këtu në Prekazë për ta kuptuar se prej nga vijmë dhe pr të ditur më mirë se ku do shkojmë,” tha Kurti.
Operacionin e NATO-s të 22 viteve më parë, Serbia e quan një nga krimet më të mëdha të shekullit të 20-të, të padrejtë, pasi sulmet nuk u autorizuan nga Këshilli i Sigurimit i OKB-së.
Zyrtarë të lartë të vendit dhe shumica e qytetarëve serbë, edhe për këtë arsye ende kundërshtojnë anëtarësimin e vendit në NATO.
“Asnjë ushtar, asnjë polic serb nuk e meritonte vdekjen, dhe as fëmijët e tyre nuk e meritonin të mbeteshin jetim. Vrasja e çdokujt që veproi për mbrojtjen e vendit, është krim,” deklaroi ministri i Brendshëm serb, Aleksandër Vulin, gjatë homazheve në Beograd.
Luftimet Kosovë-Serbi të viteve 1998-1999 llogaritet se përfunduan me më shumë se 13 mijë viktima, nga të cilat mbi 8.600 civilë shqiptarë dhe deri 2.500 civilë serbë e të tjerë.