Kosova në protestë kundër ndarjes. Kurti: Pazaret e Thaçi-Vuçiç nuk do t’i paguajnë shqiptarët

Kreu i Lëvizjes Vetëvendosja, Albin Kurti u ka bërë thirrje qytetarëve të Kosovës që më 29 shtator të dalin në protesta masive kundër Presidentit Hashim Thaçi. Në një konferencë urgjente në Prishtinë, Kurti deklaroi se kur institucionet pushojnë së ekzistuari, institucioni i qytetarëve është sheshi.

Protesta do të ketë si qëllim ndalimin e pazareve që presidenti Thaçi po bën me homologun serbë për ndarjen e Kosovës. “Institucionet tona janë të kapura dhe tashmë qytetarëve u mbetet të dalin vetëm në institucionin e sheshit për të mos lejuar ndarjen e Kosovës”,- tha Albin Kurti.

Kreu i Vetëvendosjes akuzoi presidentin Thaçi për negociata personale në dëm të interesit kombëtar. “Hashim Thaçi po e zëvendëson Gjermaninë me Rusinë dhe kjo është shumë e rëndë. Ai nuk po kërkon më të takohet me Merkel, por me Putin. Ai nuk po kërkon më negociatorë europianë, por po takohet me Medvedev. Pasi dështoi në BE po përgatitet një takim tjetër në Nju Jork me Vuçiç. Ne nuk mund të lejojmë që pazaret e Thaçit t’i paguajë populli”,- deklaroi Albin Kurti.

Kreu i Vetëvendosjes deklaroi se mbrojtja e integritetit territorial është detyrë kombëtare e çdo qytetari të Kosovës.Protesta do të zhvillohet më 29 shtator, në orën 14:00, në Prishtinë.

Thirrja e protesta vjen në momentin që presidenti Thashim Thaçi e ka kthyer në linjë të politikës së tij arritjen e një marrëveshje për ndryshimin e kufirit me Serbinë. Projekti i Thaçit dhe Vuçiçit nënkupton dhënien e katër komunave në veri të Kosovës Serbisë. Thaçi deklaron se nga kjo marrëveshje Kosova do të marrë Luginën e Preshevës në jug të Serbisë. Por në deklaratat e fundit të palës serbe, ideja e dhënies së Luginës së Preshevës cilësohet si një ëndërr e Hashim Thaçit. Ministri serb, Ivica Daçiç tha dje se “Serbia do të njohë Kosovën kur të fluturojnë derrat”.

Ideja e ndarjes, e mbështetur nga Hashim Thaçi nuk ka asnjë mbështetje në politikën e Kosovës. Kryeministri Ramush Haradinaj dhe drejtues të forcave të tjera politike në qeverinë e Kosovës e cilësojnë propozimin e Thaçit si nisjen e konfliktit me Serbinë.
Vetëvendosje, e cila përfaqëson dhe forcat kryesore në opozitën e Prishinës, ka vendosur që të mos mbetet vetëm në deklarata, por të kalojë në aksion dhe protesta. Thirrjes për protesta kundër ndarjes dhe pritet ti bashkohen edhe forca të tjera politike në Kosovë.

https://www.facebook.com/vetevendosje/videos/2131222573809587/

SHKARKO APP