Kosovë, mbahet seancë e jashtëzakonshme për heqjen e taksës me Serbinë
Në Kosovë po mbahet një seancë e jashtëzakonshme në Kuvend në lidhje me heqjen e taksës 100% ndaj mallrave serbe, vendosur gjatë qeverisjes Haradinaj. Seanca është thirur me kërkesën e 41 deputetëve të opozitës, ndërsa në fund të diskutimeve në fund të seancës pritet t`i dërgohet ekzekutivit edhe një rezolutë për këtë çështje nga deputetët. Ndërkohë, gjatë fjalës së tij në Kuvend, deputeti i AAK-së Daut Haradinaj u shpreh se Kurti u dorëzua për taksën, ende pa pasur presion serioz.
“Kryeministri Kurti dhe kauza e tij politike shumëvjeçare, rrotullimi i kamionëve, protestat e përgjakshme. Të gjitha këto për një kauzë të vetme bllokimin e Serbisë dhe “bojkotin 860, duaje tënden e Serbia nuk kalon”. Por kjo ideologji nuk shkoi gjatë. Kryeministri veç u dorëzua, akoma pa i ardhur kërcënimi serioz. I shkeli parimet e veta me të cilat e mori mandatin. Shkeli mbi çdokënd që e proklamonte me vite të tëra kundër Serbisë”, ka deklaruar Haradinaj.
Gjithashtu, Haradinaj u shpreh se vendosja e taksës e goditi Serbinë ekonomikisht, ndërsa uli rolin e saj në organizatat ndërkombëtare.
“Taksa si fillim e goditi Serbinë ekonomikisht dhe uli rolin e saj në organizata ndërkombëtare. Serbia asnjëherë të vetme nuk iu përmbajt asnjë marrëveshjeje. Me vendosjen e taksës shteti ynë riktheu suksesshëm rolin e saj si shtet. Kosova nuk po trajtohej më me fusnotë po si një aleat serioz i partnerëve tanë. Presioni për heqjen e taksës nuk i luhati institucionet tona, por u treguan edhe më të fuqishme”, ka deklaruar tutje Haradinaj.