Kosovë: Zgjedhjet, proces i qetë dhe pa incidente serioze
Rundi i dytë i zgjedhjeve lokale në Kosovë është zhvilluar në një atmosferë të qetë dhe të sigurt, pa incidente serioze që mund të kishin cenuar integritetin e procesit. Policia e Kosovës ka zbatuar me sukses planin operacional të parashikuar për balotazhin 2025, duke garantuar rendin dhe sigurinë publike para, gjatë dhe pas votimit në të gjitha komunat e përfshira.
Sipas njoftimit zyrtar, angazhimi i zyrtarëve policorë, në bashkëpunim me institucionet e tjera përgjegjëse, ka ndikuar pozitivisht në mbarëvajtjen e procesit zgjedhor.
“Procesi zgjedhor deri në këtë fazë ka kaluar i qetë dhe pa incidente serioze,” thuhet në deklaratën e Policisë së Kosovës.
Plani operacional përfshinte masa të shtuara sigurie në qendrat e votimit, monitorim të vazhdueshëm të situatës në terren dhe reagim të shpejtë në rast të ndonjë parregullsie. Koordinimi ndërinstitucional ka qenë një element kyç për të garantuar një proces të qetë dhe të besueshëm për qytetarët.
Zgjedhjet janë zhvilluar në 18 komuna, ku qytetarët kanë ushtruar të drejtën e votës për të zgjedhur drejtuesit vendorë në balotazh, në përputhje me standardet demokratike dhe kushtetuese të vendit.
KOHA JONË SONDAZH

