KQZ e Kosovës zgjedh ekspertizën britanike për menaxhimin e platformës së rezultateve zgjedhore
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Kosovë po merr mbështetje nga Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar për mirëmbajtjen dhe sigurinë e platformës online që publikon në kohë reale rezultatet zgjedhore, e cila do të përdoret edhe gjatë zgjedhjeve të 7 qershorit.
Sistemi i ri i rezultateve, që u mundëson qytetarëve të ndjekin procesin e numërimit dhe rezultatet paraprake menjëherë pas mbylljes së votimit, është zhvilluar vitin e kaluar me ndihmën britanike dhe do të aktivizohet sërish në këtë proces zgjedhor.
KQZ-ja ka pasur më herët vështirësi me funksionimin e platformës së saj zyrtare. Gjatë zgjedhjeve të shkurtit 2025, faqja dhe serverët e institucionit u përballën me ndërprerje të përsëritura, duke krijuar probleme në aksesimin e rezultateve nga publiku dhe mediat.
Ambasada e Mbretërisë së Bashkuar në Prishtinë ka konfirmuar se, pas kontributit në zhvillimin e softuerit të ri vitin e kaluar, këtë herë do të ofrojë asistencë për funksionimin dhe menaxhimin e tij gjatë ditës së zgjedhjeve. Mbështetja realizohet përmes një projekti të financuar nga qeveria britanike, ndërsa platforma është ndërtuar nga një kompani ndërkombëtare në bashkëpunim me një firmë vendase të teknologjisë.
Eksperti i sigurisë kibernetike, Kastriot Fetahaj, thekson se KQZ duhet të vijojë investimet për të garantuar stabilitetin e sistemit, sidomos në momentet e ngarkesës së lartë gjatë publikimit të rezultateve. Sipas tij, platforma duhet të jetë plotësisht funksionale dhe e mbrojtur nga sulmet kibernetike, si dhe të përballojë një numër të madh përdoruesish njëkohësisht.
KOHA JONË SONDAZH

