Kriza në Kosovë, Osmani: Të mos bllokohet Kuvendi për një nënkryetar
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka hedhur dyshime se po synohet qëllimshëm të pengohet konstituimi i Kuvendit të Kosovës nga Lista Serbe. Osmani dërgoi në Kushtetuese komente për këtë çështje, kërkoi që të lejohet funksionimi normal i Kuvendit të Kosovës edhe në kushtet kur nënkryetari serb nuk është zgjedhur.
”Përderisa kryesia e Kuvendit ka kuorum, përderisa Kuvendi ka zgjedhur në përputhje të plotë me Kushtetutën, Kuvendi si institucion nuk duhet të bllokohet. Një bllokim i tillë si instrument edhe në të ardhmen do të krijonte precedentë të rrezikshëm për paralizimin total shtetëror dhe këtu nuk po flas vetëm për komunitetet”, tha Presidentja.
Osmani tha se edhe në të kaluarën ka pasur raste kur nënkryetarët e Kuvendit nuk janë zgjedhur në seancën konstituive, por jeta parlamentare është vijuar normalisht. “E tëra çfarë ne po kërkojmë është që të mos bllokohet konstituimi për një ulëse e cila prapë i mbetet komunitetit serb. Askush nuk do t’ua marrë. Ajo do të mbetet aty. Pra, të bllokohet një shtet i tërë pse një nënkryetar nuk është zgjedhur këtë të enjte, por do të zgjidhet të enjten tjetër, nuk ka asnjë kuptim në asnjë shoqëri demokratike. Demokracia është ajo që ne po kërkojmë të mbrohet”, tha Osmani.
Presidentja e vendit tha se pozita e nënkryetarit i takon komunitetit serb dhe jo një partie të caktuar serbe. Sipas saj, Lista Serbe nuk respekton ligjet e Kosovës dhe nuk duhet të abuzojë as me të drejtat që i garantohen komunitetit serb. Osmani komentoi edhe reagimet e vendeve perëndimore që kërkuan të mos ketë ndërhyrje në punën e Gjykatës Kushtetuese.
“Republika e Kosovës është shtet ku garantohet liria e shprehjes, kjo nënkupton edhe lirinë për t’u mospajtuar me aktgjykimet e Gjykatës Kushtetuese, përderisa realizon të plotë detyrimin për t’i zbatuar ato aktgjykime. Pra, pyetja do të ishte: a i zbatojmë ato aktgjykime? Dhe ju e dini përgjigjen: të gjithë i zbatojmë”, shtoi Osmani.
KOHA JONË SONDAZH

