Kurti: Çështja e të pagjeturve, prioritet në raportet me Serbinë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se në raportet me Serbinë, çështja e të pagjeturve do të jetë përparësi.

“Padyshim që në raportin me Serbinë e kemi priroritet çështjen e të pagjetueve dhe krimeve të kryera gjatë luftës, pasi nuk mund të kemi ardhmëri, paqe, drejtësi dhe progres nëse nuk i trajtojmë këto krime makabre që janë kryer mbi popullin tonë”, ka thënë Kurti.

Ai këto komente i bëri gjatë homazheve te Kompleksi Memorial në Krushë të Madhe.

Kurti tha se drejtësia për krimet e kryera gjatë luftës nga Serbia mungon dhe është obligim institucional të ketë angazhim maksimal në këtë çështje.

Fshati Krushë e Madhe ka qenë njëri ndër vendbanimet më të goditura nga lufta në Kosovë më 1998-99. Aksioni i forcave policore e ushtarake serbe në këtë fshat nisi më 25 dhe zgjati deri më 27 mars të vitit 1999.

Në këtë masakër u vranë 243 qytetarë, nga ta shtatë fëmijë, pesë gra (njëra shtatzënë) dhe kanë mbijetuar 25 të plagosur rëndë. Ende vazhdojnë të jenë të pagjetur edhe 64 persona nga ky fshat.

Bashkë me Kurtin, homazhe në Krushë të Madhe bëri edhe deputetja, Vjosa Osmani, njëherësh kandidate për presidente e Lëvizjes “Vetëvendosje”.

“Nuk mund të ketë paqe të qëndrueshme e po ashtu liria dhe pavarësia e shtetit tonë nuk ka as kuptim pa pasur drejtësi për viktimat e regjimit gjenocidal serb”, tha Osmani.

Pas përfundimit të luftës në Kosovë, në vitin 1999, rreth 6.500 persona kanë qenë të zhdukur.

Që nga ajo kohë janë kryer disa zhvarrime në varreza masive në Kosovë dhe Serbi dhe deri më tash janë gjetur rreth 70 për qind e të pagjeturve.

Sipas autoriteteve në Kosovë, të pagjetur vazhdojnë të jenë edhe rreth 1,600 persona, kryesisht shqiptarë.

Zgjidhja e fatit të personave të pagjetur është një nga pikat e marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve ekonomike, e cila është nënshkruar më 4 shtator të vitit 2020 në Uashington nga ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Çështja e të pagjeturve është gjithashtu në agjendën e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë, i cili ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian.

SHKARKO APP