Kurti kujton bombardimet e NATO-s: Drejtësia për krimet e Serbisë në Kosovë nuk është vënë ende
Kryeministri i Kosovës Albin Kurti së bashku me kabinetin qeveritar në ditën e tij të parë të punës ka bërë homazhe në Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz.
Ai tha se tre breza të familjes Jashari u vranë nga forcat serbe dhe drejtësia për këtë krim të Serbisë nuk është vënë ende, ashtu siç nuk është vënë për shumë dëshmorë e martirë anekënd vendit.
“Dje pranuam detyrën si qeveri e re e cila u votua në Kuvendin e Republikës së Kosovës dhe sot në ditën e parë të punës erdhëm herët në Prekaz në këtë vend të flijimit e të bashkimit, ku tre breza të familjes Jashari u vranë nga forcat serbe mirëpo rënia e tyre heroike e ngriti në këmbë popullin shqiptar, i dha hov ushtrisë çlirimtare të Kosovës dhe zgjoi ndërgjegjen ndërkombëtar, e cila më 24 mars 1999 dërgoi aleancën më të fuqishme të historisë së njerëzimit kundër një shteti gjenocidal siç ishte Serbia e Millosheviqit”, tha Kurti.
“Ne i kujtojmë me dhembje e mall Shaban, Hamzë e Adem Jashari dhe të gjithë, 59 anëtarët e kësaj familjeje, gjysma e të cilëve ishin gra dhe fëmijë.
Drejtësia për këtë krim të Serbisë nuk është vënë në vend ashtu sikur për shumë dëshmorë e martirë të tjerë anekënd Kosovës.
Gjaku i tyre nuk humbet kurrë, emri i tyre nuk harrohet kurrë dhe ne kthehemi e rikthehemi në Prekaz për ta kuptuar prej nga vijmë dhe për ta ditur më mirë kah duhet të shkojmë”, tha Kurti.