Kurti në Bruksel: Disa vende në Ballkan ende dominohen nga kriminelë lufte e paqeje

Qëllimi i shefit të diplomacisë evropiane Josep Borrell, ishte që liderët e vendeve të Ballkanit Perëndimor të shkëmbejnë mendime për çështje shumë të rëndësishme, në një atmosferë më të relaksuar. Borrell tha në prag të takimit se Ballkani Petrëndimor është një rajon gjeostrategjik shumë i rëndësishëm për BE-në, ndërkohë që shumë njerëz në këto vende janë të dëshpëruar me angazhimin e BE dhe me procesin e Integrimit. Ai ka paraqitur në një dokument edhe propozime konkrete për zgjidhjen e shumë problemeve në raport me këto vende.

Darka e përbashkët u mbajt në nivelin e kryeministrave, përveç Malit të Zi, i cili u prezantua nga presidenti. Nga BE ishte edhe komisioneri për zgjerimin. Darka e përbashkët ku ishin edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ai i Kosovës, Albin Kurti, kryeministrja e Serbisë, Ana Brnabiq, ai i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, presidenti i Malit të Zi, Millo Gjukanoviq, dhe përfaqësuesi i Bosnjë-Hercegovinës, ka zgjatur rreth dy orë.

Albin Kurti pas darkës deklaroi për mediat e Kosovës se BE-ja duhet t’i përmbahet tri vlerave, në mesin e të cilave është edhe përballja me të kaluarën. Po ashtu Kurti tha se në shtete të Ballkanit Perëndimor ka ende “kriminelë të luftës dhe të paqes”, duke aluduar për kreun e shtetit të Serbisë.

“Kriminelët e luftës dhe paqes”

“Të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor do të mund të ecin shumë më shpejt nëse u përmbahen 3 vlerave: demokratizimit, sundimit të ligjit – nëse luftohen oligarkitë në ekonomi – dhe ballafaqimit me të kaluarën, pra duhet të eliminohen nga skena politike e institucionale kriminelët e luftës e paqes”, theksoi Kurti duke shtuar se “edhe më tej, në Ballkanin Perëndimor kemi kriminelë të luftës dhe të paqes që dominojnë në institucione”.

Takimi i radhës në këtë format do të mbahet në një prej vendeve të Ballkanit, bëri të ditur kryeministri i Kosovës. Ndër kërkesat e tij kryesore në këtë takim ishte liberalizimi i vizave dhe domosdoshmëria e rritjes ekonomike, si pasojë e investimeve që vijnë nga Evropa. Në kornizat e këtij takimi ai ka përmendur edhe domosdoshmërinë e njohjes së Kosovës nga pesë vendet e tjera të BE, që nuk e kanë njohur deri më tani Greqia, Spanja, Sllovakia, Rumania dhe Qipro.

Gjatë ditës së djeshme Kurti është takuar edhe me ndërmjetësin e BE në dialog, Miroslav Lajçak, me të cilin ka biseduar për vazhdimin e dialogut Kosovë-Serbi. Sipas Kurtit,dialogu mund të vazhdojë diku nga mesi i qershorit, ndërsa ai premton se do të përgatitet mirë për këto takime dhe do të ketë konsultime me liderët e partive opozitare në Kosovë.

Pa takim të ndarë Kurti-Brnabiç

Serbinë në këtë takim e ka përfaqësuar Ana Brnabiç, e jo presidenti Aleksandar Vuçiç, siç është pritur. Brnabiq shpreson se “viti 2021 do të jetë më i suksesshëm për Serbinë dhe të gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor”. Ajo tha se darka e përbashkët ka qenë e suksesshme dhe e organizuar ” nga njerëz, të cilët vërtet duan ta çojnë përpara procesin e zgjerimit”. /DW/

SHKARKO APP