
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka përsëritur kërkesat e Prishtinës zyrtare ndaj Beogradit për njohjen e pavarësisë së Kosovës dhe marrjen e përgjegjësisë për sulmin e armatosur në Banjskë, ku mbeti i vrarë polici Afrim Bunjaku. Gjatë një diskutimi me studentët e Paris School of International Affairs, Kurti kërkoi që Serbia të dorëzojë Milan Radoiçiçin, të cilin e konsideroi si organizatorin kryesor të sulmit në veri të Kosovës.
Duke folur për dialogun dhe procesin e normalizimit të marrëdhënieve mes dy vendeve, kreu i qeverisë kosovare theksoi se Beogradi duhet të përballet me realitetin politik dhe të pranojë Kosovën si shtet të pavarur. “Serbia duhet ta njohë pavarësinë e Kosovës dhe të marrë përgjegjësi për atë që ndodhi në Banjskë”, ishte mesazhi që Kurti përcolli gjatë bashkëbisedimit.
Ai kërkoi gjithashtu që autoritetet serbe të ndalin përpjekjet për të penguar njohjet ndërkombëtare të Kosovës dhe anëtarësimin e saj në organizata ndërkombëtare. Një vëmendje të veçantë Kurti i kushtoi edhe integrimit evropian të Ballkanit Perëndimor. Sipas tij, lufta e Rusisë kundër Ukrainës ka ndryshuar realitetin e sigurisë në Evropë dhe e ka bërë zgjerimin e Bashkimit Evropian një çështje edhe më urgjente.
Ai vlerësoi se vendet e rajonit duhet të ecin drejt integrimit evropian pa krijuar ndarje apo trajtime të pabarabarta mes tyre. Kryeministri ngriti gjithashtu çështjen e pesë vendeve anëtare të Bashkimit Evropian dhe katër vendeve të NATO-s që ende nuk e kanë njohur Kosovën, duke bërë thirrje për një qasje të re ndaj këtij realiteti. Në argumentimin e tij, Kurti u ndal edhe te rrethanat historike të shpalljes së pavarësisë së Kosovës, duke theksuar se përvoja e popullit shqiptar, e karakterizuar nga represioni, spastrimi etnik dhe gjenocidi, nuk mund të krahasohet me lëvizjet separatiste.
