Kurti: Sekuestrimi i armëve në veri parandaloi krime të mundshme
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se sekuestrimi i armëve në veri të vendit ka parandaluar krime të mundshme.
Gjatë një konference për shtyp, Kurti vlerësoi aksionin e Policisë së Kosovës, gjatë të cilit u sekuestruan mbi 70 armë, mijëra municione dhe veshje kamuflazhi ushtarak serb në 12 lokacione të ndryshme.
Sipas Kurtit, aksionet e policisë gjatë viteve të fundit nuk kanë synuar vetëm kapjen e personave të përfshirë në aktivitete kriminale, por edhe parandalimin e veprave të mundshme penale.
“Në këto tre vitet e fundit kemi aksione të shumta policore të cilat praktikisht po marrin armë në duart e atyre që ose janë kriminelë ose, në rastin më të mirë, janë potencialisht kriminelë”, deklaroi Kurti.
Ai theksoi se sasia e armëve dhe municioneve të sekuestruara tregon, sipas tij, rrezikun që paraqet armatimi ilegal.
“Jo vetëm që kemi konfiskuar armatim te ata që kanë bërë krime, por në të njëjtën kohë kemi konfiskuar edhe armatim duke parandaluar krime në vijim”, shtoi kryeministri në detyrë.
Në lidhje me çështjen e hapjes së urës kryesore mbi lumin Ibër, Kurti konfirmoi se do të zhvillojë një takim me komandantin e KFOR-it, gjeneralmajorin Ozkan Ulutash.
Ai tha se institucionet e Kosovës janë në komunikim të vazhdueshëm me KFOR-in, me qëllim që çdo hap të ndërmerret në mënyrë të qetë dhe paqësore.
Sipas Kurtit, hapja e urës do të ndikonte pozitivisht në lëvizjen e qytetarëve dhe mallrave, ndërsa argumentoi se funksionimi i urave të reja mbi Ibër ka treguar se rritja e qarkullimit nuk ka sjellë shtim të incidenteve apo tensioneve.
Kurti e cilësoi si të pajustifikueshme mbajtjen e mbyllur të urës kryesore, duke theksuar se liria e lëvizjes është e rëndësishme jo vetëm për ekonominë, por edhe për paqen dhe sigurinë.
KOHA JONË SONDAZH

