Lajçak do të ndërmjetësojë dialogun Kosovë-Serbi

Edhe pse në selinë e Bashkimit Evropian nuk duan të komentojnë derisa të mos ketë ndonjë vendim formal, sipas burimeve diplomatike, ministri i Jashtëm i Sllovakisë, Miroslav Lajçak, pritet të jetë përfaqësues i Posaçëm i BE-së për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Emri i tij është përmendur shpesh në media, por edhe në qarqet diplomatike, mirëpo këto janë quajtur gjithmonë vetëm si spekulime.

Zëdhënësi i BE-së për çështje të Politikës së Jashtme, Petar Stano, ka thënë të premten në një konferencë për shtyp se ende nuk ka vendim se a do të ketë apo jo të dërguar të posaçëm dhe se BE-ja nuk dëshiron të spekulojë lidhur me emrat e kandidatëve që janë përmendur në media.

Sipas burimeve diplomatike ka pasur vetëm disa rezerva ndaj emërimit të Miroslav Lajçakut, pasi edhe ai, sikurse dhe përfaqësuesi i Lartë, Josep Borrell, vjen nga një vend që nuk e ka njohur pavarësinë e Kosovës.

Të njëjtat burime thonë se në ditët në vijim do të duhet të sqarohet edhe statusi, të cilin një përfaqësues i tillë i posaçëm do ta ketë brenda institucioneve të Bashkimit Evropian. Nëse ai do të jetë vetëm i dërguar i posaçëm, atëherë mund të emërohet vetëm nga përfaqësuesi i Lartë për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell. Por, nëse do të jetë përfaqësues i posaçëm, atëherë duhet ta marrë edhe pëlqimin e vendeve anëtare të Bashkimit Evropian në Këshill.

Lajçak ka një përvojë të madhe nga rajoni i Ballkanit, meqë ka qenë përfaqësues i Posaçëm në Bosnje e Hercegovinë dhe i dërguar i Posaçëm para referendumit në Mal të Zi.

Ai gjithashtu ka përvojë edhe nga shërbimi i Jashtëm i BE-së, ku ka shërbyer në të kaluarën si drejtor menaxhues. Idenë që të ketë një përfaqësues të posaçëm për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, e ka përmendur gjatë vizitës së tij në Kosovë dhe Serbi edhe përfaqësuesi i Lartë, Borrell.

Një emërim i tillë, sipas diplomatëve, do t’i jepte rolit të BE-së si lehtësuese e dialogut, një dimension më shumë politik sesa që kishte deri më tash.

Në BE pohojnë se sa i përket Kosovës dhe dialogut të saj me Serbinë nuk bëjnë gara me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Por, disa diplomatë thonë se emërimi i të dërguarve të posaçëm amerikanë për dialog ka ndikuar që edhe në BE të mendojnë për një gjë të tillë.

Përderisa pritet të sqarohet roli dhe posti formal i përfaqësuesit të ardhshëm për dialogun Kosovë-Serbi, në BE vazhdojnë paralelisht edhe përgatitjet për samitin e Zagrebit dhe për metodologjinë e re në procesin e zgjerimit. Për këto tema, me datën 16 të këtij muaj në Bruksel do të zhvillohet një darkë pune ndërmjet krerëve të institucioneve të BE-së dhe liderëve të vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Nga BE-ja në takim do të marrin pjesë presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, kryetarja e Komisionit Evropian, Ursula van der Leyen, dhe kryeministri i Kroacisë, Andrej Plenkoviq, si shef i qeverisë së vendit që ka kryesimin e radhës së BE-së.

SHKARKO APP