Lajçak: Është koha që dialogu Kosovë-Serbi të përfundojë me sukses
I dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak ka thënë se është koha që procesi i dialogut të përfundojë me sukses.
Përmes një postimi në Twitter, Lajçak shkruan se sot (9 shtator), janë bërë 10 vjet kur Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara mirëpriti gatishmërinë e Bashkimit Evropian për të ndërmjetësuar në procesin e dialogut.
“Sot janë bërë saktësisht 10 vjet që kur Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara mirëpriti gatishmërinë e Bashkimit Evropian, për të ndërmjetësuar në procesin e dialogut midis Beogradit dhe Prishtinës. Është koha që ai të përfundojë me sukses”, tha Lajçak.
Ndërkohë, të hënën (7 shtator), u zhvillua një tjetërraund tjetër bisedimesh midis kryeministrit të Kosovës, Avdullah Hoti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç në Bruksel, si pjesë e një dialogu nën kujdesin e BE-së.
Lajçak më herët kishte deklaruar se në këtë takim, për herë të parë është diskutuar edhe për marrëveshjen gjithëpërfshirëse, ligjërisht obliguese, çështjet e komuniteteve joshumicë, dhe pretendimeve të përbashkëta financiare e pronësore.