Lista serbe mund të ikë nga Qeveria
Lista Serbe po shqyrton daljen nga koalicioni qeverisës i vendit, pas zhvillimeve të sotme në veriun e vendit, përkatësisht arrestimit të shefit të të ashtuquajturës Zyrë për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriç, në Mitrovicën e Veriut.
Shefi i këtij subjekti partiak, Goran Rakiç, ka thënë, nëpërmjet një letre të publikuar në ueb-sajtin zyrtar të Listës Serbe, se së shpejti do të nisin iniciativën për ta braktisur Qeverinë e Kosovës.
“Të dashur qytetarë, kjo është një ditë e vështirë për serbët në Kosovë dhe Metohi, ku u tregua më së miri fytyra e institucioneve në Prishtinë”, është shprehur ai.
Ai ka thënë se sot përfaqësuesit legjitimë të popullit serb janë trajtuar “brutalisht” në Mitrovicën e Veriut.
“Pas këtij abuzimi dhe demonstrimi të forcës, udhëheqja e Listës Serbe ka mbajtur një mbledhje urgjente, për të nisur iniciativën për braktisjen e Qeverisë në Prishtinë. Ne do t’ia kumtojmë këtë vendim presidentit të Republikës së Serbisë, Aleksandar Vuçiç”, ka bërë të ditur ai.
Sipas tij, s’ka kuptim dialogu në rrethana të këtilla.