Lugina e Preshevës, Kurti kërkon respektimin e të drejtave të shqiptarëve
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka zhvilluar një takim me rreth 70 përfaqësues politikë dhe të shoqërisë civile nga Presheva, Bujanoci, Medvegja dhe Sanxhaku, ku u diskutuan sfidat dhe problematikat me të cilat përballen shqiptarët në këto treva.
Gjatë bisedës, Kurti theksoi rëndësinë e respektimit të të drejtave të shqiptarëve në Luginën e Preshevës, duke nënvizuar se kjo çështje mbetet një prioritet për institucionet e Kosovës. Ai vlerësoi se komuniteti shqiptar në këtë rajon vazhdon të përballet me vështirësi që kërkojnë mbështetje të vazhdueshme dhe angazhim institucional.
Sipas tij, Prishtina do të vazhdojë të ofrojë ndihmë konkrete për shqiptarët e Luginës, me theks të veçantë te studentët, fëmijët dhe zhvillimi i komunitetit. Kurti u shpreh se përkrahja nuk do të jetë vetëm në aspektin arsimor dhe social, por edhe në fusha të tjera që ndikojnë në mirëqenien e tyre.
Kryeministri në detyrë theksoi gjithashtu se Kosova do të vijojë ta ngrejë çështjen e të drejtave të shqiptarëve të Luginës së Preshevës në organizata dhe forume ndërkombëtare, me synimin për të rritur ndërgjegjësimin dhe mbështetjen për ta.
Në takim u diskutua edhe për zhvillimet e fundit politike dhe shoqërore në Preshevë, Bujanoc, Medvegjë dhe Sanxhak, ndërsa pjesëmarrësit ndanë shqetësimet dhe propozimet e tyre për përmirësimin e pozitës së shqiptarëve në këto zona.
KOHA JONË SONDAZH

