LVV e nominon Albin Kurtin si kandidat për kryeministër të Kosovës

Lëvizja Vetëvendosje (LVV), e ka nominuar sot kreun e partisë, Albin Kurti, si kandidat për kryeministër të Kosovës në zgjedhjet e parakohshme të 28 dhjetorit. Kurti ashtu siç pritej, mori besimin e të gjithë delegatëve të partisë gjatë një mbledhjeje të Këshillit të Përgjithshëm në Prishtinë. “Atëherë, konstatoj se me votat e të gjithë delegatëve të Lëvizjes, pra unanimisht, miratojmë propozimin që Albin Kurti të jetë kandidati ynë për kryeministër të Kosovës”, tha Arbërie Nagavci, kryesuese e Këshillit të Përgjithshëm të partisë.

Duke folur pas nominimit, Kurti tha se “ndihem i nderuar që edhe një herë më besuat si kandidatin tuaj për kryeministër”. Ai gjithashtu i kritikoi partitë e tjera në vend për mungesën e gatishmërisë për të bashkëpunuar me partinë e tij pas zgjedhjeve të rregullta të 9 shkurtit. “Jemi para zgjedhjeve të reja pa vullnetin dhe dëshirën tonë, por si pasojë e refuzimit nga subjektet e tjera për të pasur çfarëdo bashkëpunimi me neve. Së pari më refuzuan mua e pastaj edhe Glauk Konjufcën”, tha Kurti.

Kurti bëri përpjekje disamuajshe për ta siguruar një mandat të tre në krye të vendit, por as ai e as bashkëpartiaku i tij, Glauk Konjufca, nuk e morën mbështetjen e Kuvendit për ta bërë qeverinë e re muajt e fundit. LVV-ja i fitoi zgjedhjet e 9 shkurtit, por 48 vende në Kuvend ishin të pamjaftueshme dhe Kurti nuk arriti të gjejë një partner koalicioni, qoftë për ta arritur minimumin e kërkuar prej 61 ulëseve për një qeveri të pakicës.

Swiss Digital Desktop Reklama

Lidhja Demokratike e Kosovës, e cila ditë më parë e nominoi kreun e vet Lumir Abdixhiku për kryeministër në zgjedhjet e muajit të ardhshëm, kishte oferta nga Kurti për të bashkëqeverisur, por ajo vazhdimisht i hodhi poshtë ato. Pasi Kuvendi nuk arriti ta votojë qeverinë e re, presidentja Vjosa Osmani e shpërbeu Kuvendin javën e kaluar dhe shpalli zgjedhje të parakohshme për 28 dhjetor. Si pasojë e mungesës së bashkëpunimit dhe lëshimeve politike, Kosova vazhdon të jetë me Qeveri në detyrë që nga shkurti i këtij viti. Vendi tani shkon në zgjedhje të reja duke mos miratuar marrëveshje ndërkombëtare në vlerë rreth 200 milionë euro, buxhetin e vitit të ardhshëm të shtetit, buxhetin për Radiotelevizionin e Kosovës (RTK) dhe buxhetin për tri komuna – Prishtinë, Gjilan dhe Zubin Potok. /REL/

Swiss Digital Mobile Reklama

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A veproi drejt Gjykata Kushtetuese për rastin Balluku?